Krasniqi: MF-ja po merr masa për vendosjen e tatimit në pronë

Prishtinë | 20 Shk 2017 | 14:55 | Nga

Ministria e Financave në bashkëorganizim me projektin Decentralizim dhe Përkrahje Komunave (DEMOS) kanë filluar sot punëtorinë për konsultim publik me të gjitha palët e interesit me temën “Konsultimi për Projektligjin e Tatimit në Pronën e Paluajtshme”.

Zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi theksoi se kjo ministri është duke ndërmarrë të gjithë masat e nevojshme për të siguruar vendosjen e tatimit në të gjithë llojet e pronës së paluajtshme (tokë), por edhe duke kërkuar gjithashtu, përmirësimin e qëndrueshëm të sistemit të tatimit në pronë.

“Realizimi i këtyre objektivave madhore kërkon pikë së pari, themele të shëndetshme ligjore, të harmonizuara dhe në pajtim me gjithë kuadrin ligjor në fuqi në Kosovë, si dhe në të njëjtën linjë me standardet ndërkombëtare”, tha ai.

“Në kuadër të kësaj, Ministria e Financave ka ndërmarrë një nismë tejet të rëndësishme për përmirësimin dhe përshtatjen e të gjithë infrastrukturës ligjore, e cila rregullon procesin e tatimit në pronë, duke iniciuar procesin legjislativ për ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit përkatës, duke pasur si qëllim, implementimin e suksesshëm të tatimit në tokë, përmes krijimit të një sistemi modern dhe efikas për mbledhjen e të hyrave nga tatimit në pronë”, shtoi zëvendësministri Krasniqi.

Ai bëri të ditur se projektligji përbën një bazë rregullative të parashikueshme, të qartë dhe të detajuar, për t’i dhënë qartësinë e nevojshme elementeve kyçe dhe risive të reformës e për t’ju përshtatur rrethanave dhe kërkesave të reja specifike që do lindin për realizimin e një reforme të tillë, për të qenë kështu, sa më e pranueshme nga qytetarët.

Zëvendësministri Agim Krasniqi theksoi se qëllimi kryesor i Projekt ligjit për tatimin në pronë është vendosja e tatimit mbi pronën e paluajtshme dhe përcaktimi i rregullave themelore për administrimin e tatimit në pronën e paluajtshme nga komunat dhe Ministria e Financave.

Sipas tij, objektivat që synohen me ndryshimet ligjore në tatimin në pronë janë përshtatja e  infrastrukturës ligjore me qëllim implementimin e tatimit në tokë, thjeshtëzimi dhe përmirësimi i procesit të vlerësimit të pronave të paluajtshme; rritja e efikasitetit gjatë funksionimit dhe monitorimit të procesit, pajisja e autoriteteve kompetente publike, me të gjitha atributet e nevojshme ligjore dhe institucionale për administrimin e procesit në mënyre efektive, mbrojtja e mëtejshme e  të drejtave dhe interesave të tatimpaguesve; si dhe eliminimi i kundërshtive dhe dykuptimësive që ekzistojnë në kuadrin ligjor në fuqi.

“Bazuar dhe në sugjerimet dhe rekomandimet që kanë ardhur nga një numër i konsiderueshëm komunash dhe institucionet tjera, (dhe përfitoj nga rasti për t’ju falënderuar përzemërsisht për këtë), ndryshimet e pasqyruara në projektligjin e tatimit në pronë synojnë ndërtimin e një baze solide ligjore për të garantuar një proces të drejtë, të paanshëm dhe efektiv të tatimit në pronë”, shtoi zëvendësministri Krasniqi.

Me këtë rast, zëvendësministri Agim Krasniqi gjithashtu falënderoi anëtarët e ekipit përgjegjës për hartimin e draftit fillestar të këtij Projektligji, zyrtarët nga projekti SIDA, i financuar dhe mbështetur nga Qeveria Suedeze, donator dhe partnerët tjerë që vazhdimisht e kanë përkrahur Ministrinë e Financave në aktivitete dhe ngjarje të ndryshme të cilat janë ndërlidhur me fushën e tatimit në pronë, por edhe në fusha të tjetra, si falënderoi edhe zyrtarët e Komunave të cilët kanë dhënë kontribut për çështje të ndryshme sa i përket tatimit në pronë në përgjithësi.

Punëtoria për Konsultimin për projektligjin e tatimit në pronën e paluajtshme,. Gjatë kësaj punëtorie Ministria e Financave do të diskutojë projektligjin e tatimit në pronën e paluajtshme me zyrtarët komunal (drejtori për Buxhet dhe Financa, Drejtori për Gjeodezi dhe Kadastër, drejtori për Bujqësi dhe Pylltari, Menaxheri i tatimit në Pronë, aktorët zhvillimor të ndryshëm relevant OJQ-të, bizneset e ndryshme, si dhe përfaqësuesit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës).

Të ngjashme