“Ditët e Promovimit të Mjedrës” ka tubuar prodhuesit e kësaj kulture bujqësore në Sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë për të promovuar mjedrën vendore e cila ka marr hov të madh në vendin tonë.
Kështu që për herë të pestë me radhë USAID-i përmes aktiviteteve të veta për mbështetje të bujqësisë po promovon mjedrat e freskëta të Kosovës.
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, dhe drejtori i USAID-it, James Hope vizituan fermerët pjesëmarrës në aktivitetin Ditët e Promovimit të Mjedrës në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.
Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, kultivimin dhe prodhimin e mjedrës e cilësoi si një nga storjet më të mëdha në Kosovë.
“Sot ne kemi 1000 hektarë të mbjella me mjedër. Përfitimet janë të jashtëzakonshme, për këtë vit ne po ndajmë 4 milionë euro për ngritje të sipërfaqeve të reja. Përmes pikave grumbulluese ne ju bëjmë apel që t’i marrin mjedrat nga prodhuesit, ne nuk do të lejojmë që mjedra të shkojë dëm, nuk do të lejojmë që asnjë mjedër të hedhet. Presim që këtë vit të kemi 5 mijë tonë prodhimtari”, ka thënë Krasniqi.
Ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie, tha se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për rritjen e prodhimit bujqësor dhe të behet një furnizues i shkallës së parë i mjedrave të freskëta.
“Festivali i mjedrës është një ngjarje e veçantë për mua pasi që para një viti kur kam ardhur në mision në Kosovë kam vizituar prodhuesit e mjedrës. Prioritet kryesor i SHBA-së në Kosovë është mbështetja e zhvillimit ekonomik dhe përmes USAID ne mundohemi të ndihmojmë për të rritur vende të reja të punës, për t’i ndihmuar zhvillimit të vendit”, tha Delawie.
Deri në vitin 2020, Programi i USAID-it, Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale (AGRO) së bashku me partnerët e tij strategjik do të ndihmojë sektorin e mjedrës, duke e zhvilluar atë në një industri të qëndrueshme të tregut të freskët, me mbështetjen e 3 000 hektarëve të prodhimit, duke u bërë një furnizues më i mirë i mjedrave të freskëta dhe të përpunuara në tregjet e brendshme, rajonale dhe të BE-së.
Këtë sezon rreth 1 500 fermerë të vegjël dhe industria e mjedrës do të gjenerojnë 7 milionë euro në shitjet e eksportit. Prodhimi i mjedrës aktualisht është duke mbështetur 3 000 vende pune ekuivalente me orar të plotë.
Ngjarja u organizua nga USAID-i në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Komunën e Prishtinës.
Programi Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale është një program pesëvjeçar i financuar nga USAID-i për të zhvilluar një sektor më konkurrues bujqësor në Kosovë përmes ndihmës teknike dhe grandeve për fermerët, ndërmarrjet dhe organizatat e tjera të zinxhirëve të synuar të vlerës.
Promovimi i mjedrës do të zgjasë tri ditë nga 17 deri më 19 gusht.