Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk arriti që të fitojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare për dy arsye, i tha Ekonomia Online, profesori Milazim Krasniqi.
Arsye e parë sipas tij, është se kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani është ende një figurë margjinale në LDK .
“Vjosa Osmani është ende një figurë margjinale në LDK dhe nuk është prej atyre figurave që vinë nga tereni dhe nuk kanë ndikim të madh në bazën votuese dhe në anën tjetër retorika e saj ka qenë shumë agresive në përpjesëtim me filozofinë e LDK-së dhe me filozofinë e Rugovës e cila ishte gjithë përfshirës dhe shumë tolerante dhe respekt ndaj kundërshtarëve”.
Krasniqi tha se arsye tjetër e humbjes së LDK-së ishte edhe mungesa e familjes Rugova e cila do të kishte ndikim te votuesit.
“Mungesa e prezencës e familjes Rugova tek disa ka pas ndikimin e vet dhe kishte një huqje në mesazhet e Vjosës ishin kundër PDK-së por ndërsa rreziku real i vinte nga Vetëvendosje dhe për këtë arsye humbja e saj është një humbje që ka ardhur nga mungesa e unitetit të brendshëm dhe nga mungesa e profili më të mirë të kandidatit dhe të mesazheve që nuk kanë qenë në pajtim me filozofinë e LDK-së.
Krasniqi shtoi se Lëvizja Vetëvendosje së pari duhet ta ndryshojë veten dhe të heq dorë nga propaganda dhe nga përdorimi i dhunës si mjet për arritjen e qëllimeve politike.
“Unë besoj që VV e ka rastin së pari ta ndryshojë vetveten ata duhet ta ndryshojnë edhe filozofinë e cila ka qenë e miskuar me përdorimin e dhunës si mjet për arritjen e qëllimeve politike dhe besoj që tash e kanë rastin të distancohen prej asaj përvoje sepse tash janë në qeverisje dhe duhet të marrin përgjegjësi që dalin prej këtij pozicioni dhe mundësinë për ndryshim e kanë sepse mund të përshtaten më lehtë ne rrethanat e reja dhe jam i bindur që e kanë në vështirësi që të dalin nga filozofia e propagandës agresive dhe të fillojë të përdorin një diskurs të administratës”.
Krasniqi ka komentuar edhe rezultatin e dobët të koalicionit Nisma-AKR-PD. Sipas tij, mos kalimi i pragut të Nismës-AKR-së dhe PD-së ishte si ndëshkim i keq qeverisjes së tyre dhe për shkak të arrogancës së tyre që kanë manifestuar në Qeverinë Hardainaj.
“Nisma-AKR-PD janë penalizuar për shkak të arrogancës që kanë manifestuar në qeverisjen Haradinaj dhe ato si parti të vogla kanë pas shumë ministri dhe i kanë qeverisur keq , AKR-ja me dy deputet ka pas katër ministri duke përfshirë ministrinë e brendshme, ministrinë e zhvillimit ekonomik dhe një parti e vogël që nuk ka pas kapacitete dhe në fakt një nga dështimet e qeverisë Haradinaj janë në resorët që kanë udhëheq këto ministri.
“Ndërsa Nisma është shquar për nepotizëm të theksuar në institucionet që ka drejtuar dhe meqë kjo është raportuar gjatë atëherë qytetarët i kanë penalizuar këto dy parti dhe atyre i duhen reforma të thella që së pari të ndryshojnë perceptimin e qytetarëve ndaj tyre”.
Krasniqi lavdëroi edhe Kadri Veselin për pranimin e rezultatit dhe gatishmërinë e tij për të kaluar në opozitë, raporton EO.
“Unë mendoj që dalja e Kadri Veselit ka qenë korrekte dhe serioze sepse kjo ndodhë në çdo vend të Evropës dhe ishte sharmë i demokracisë dhe ky standard që po pranohet menjëherë me pranimin e rezultatit është pjekuri e Kosovës”.
Me numërimin e 98.63 për qind të votave, Nisma ka 4.9 për qind, apo 38657 vota.
VV-ja prin me 25.51 për qind apo 201129 vota, LDK-ja është e dyta me 24.82 për qind të votave e PDK-ja e treta me 21.24 për qind. Koalicioni AAK-PSD ka 11.52 për qind të votave.