Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me kryetarin e komunës së Ferizajt, Agim Aliun dhe ambasadorin e Mbreterisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, kanë përuruar shtatoren e ish-kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, raporton Ekonomia Online.
Krasniqi ka ndarë disa fotografi në Facebook, teksa ka shkruar se kjo shtatore nderon lidershipin e tij të patrembur për çlirimin e Kosovës.
“Ky monument simbolizon shpresën tonë të pakufishme, miqësinë e përjetshme dhe mirënjohjen e përzemërt”, shkruan Krasniqi.
Postimi i plotë:
Sot, në Ferizaj përuruam shtatoren e ish-kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, duke nderuar lidershipin e tij të patrembur dhe mbështetjen e palëkundur për çlirimin e Kosovës. Ky monument simbolizon shpresën tonë të pakufishme, miqësinë e përjetshme dhe mirënjohjen e përzemërt.
Faleminderit, kryeministër Blair!