Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi , ka thënë sot pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, se opozita nuk u pajtua me asnjë nga propozimet e paraqitura.
“Më vjen keq të ju them që edhe pas më shumë se 2 orë në mbledhje të kryesisë, në asnjë mënyrë opozita nuk u pajtua me asnjë nga propozimet që të gjejmë një rrugëdalje”.
“Kryesia e kuvendit ka përcaktuar fillimin e sezonit nga java e dytë e muajit shtator dhe do të mbajmë një seancë të rregullt nga seancat e kaluara”.
Sa i përket dy seancave të jashtëzakonshme, Krasniqi bëri të ditur se ato do të caktohen në ditët në vijim, raporton Ekonomia Online.
Krasniqi tregoi se propozimi i tij ishte që në konkurrencë të paraqiten dy rezulota, por opozita e ka refuzuar edhe këtë propozim.
“Kam propozuar që t’i kemi dy rezoluta konkurruese, që ne ta kemi rezolutën tonë dhe ata të tyren, prapë kanë refuzuar, pra nuk po dojmë të jemi në një sallë. Kemi propozuar që t’i mbajmë dy seancat e ndara me propozimet, por që të zotohemi që të marrim pjesë në të dy seancat dhe ky ishte propozimi i tretë që do të ishte rrugëdalje dhe prapë ka refuzim”.
“Ne jemi të gatshëm që përsëri nëse iu ndërron mendja t’i qasemi në këtë mënyrë. Nëse këto seanca të jashtëzakonshme nuk mbahen, atëherë do të vazhdojmë me seancat e rregullta”.
Edhe Ahmeti Isufi nga AAK-ja tregoi që pozita e opozita nuk arritën të pajtohen në asnjë mënyrë, raporton EO.
“Nuk pati asnjë variant për të cilin pajtohen. U kërkua që të fillojë sesioni vjeshtor në një seancë të rregullt, përsëri nuk pati gatishmëri. Kjo tregon se kemi të bëjmë me mbrojtjen e interesave politike”.
“Ne ofruam varianta, qoftë nëse duam të shkojmë duke funksionuar dy çështje që janë të ndërlidhura, edhe platforma, edhe ekipi, nuk pat gatishmëri. Ofruam njërën pas tjetrës seancat, ejani ta kryejmë seancën që e ka propozu kuvendi, pastaj ta mbajmë atë të opozitës, nuk pat gatishmëri”.