Jeta Krasniqi nga KDI tha se vendimi për heqjen e reciprocitetit ka qenë i pritshëm nga kryeministri Avdullah Hoti duke thënë se mospajtimi i LDK-së për këtë çështje me Vetëvendosjen rrëzoi edhe Qeverinë Kurti.
Krasniqi tha se derisa Kosova hoqi të gjitha masat faktori ndërkombëtar duhet të kthehet nga Serbia me kërkesa konkrete.
“Duhet kuptuar që tashmë Kosova ka hequr të gjitha masat, si tarifën ashtu dhe reciprocitetit prandaj tani faktori ndërkombëtar duhet të kthehet nga Serbia dhe të kërkojë qoftë ndaljen e fushatës diplomatike kundër shtetit të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare qoftë ndërmarrjen e veprimeve konkrete për heqjen e barrierave jo tarifore ndaj Kosovës”.
Krasniqi pret që dialogu të rifillojë pas këtij vendimi, por thotë se ka paqartësi për vazhdimin e procesit të tij. Sipas saj, Qeveria e Kosovës duhet të shkojë në dialog dhe të kthehet me ulëse në OKB dhe me pesë njohjet e shteteve të BE-së.
“Pritet rifillimi i dialogut prandaj dhe u ndërmor dhe ky veprim nga ana e Qeverisë. Por, shumë prej paqartësive vazhdojnë të mbesin dhe duhet të adresohen. Ndër të tjera duhet të qartësohet roli i BE dhe SHBA-ve në këtë proces, nuk mund të kemi dy procese paralele. Nga ana tjetër duhet të kemi qartësim lidhur me pozicionin e Kosovës në këtë proces. Cilat janë parimet negociuese, vijat e kuqe, strategjia e Kosovës ndërsa duhet të punohet në drejtimin e një qëndrimi unik të Kosovës, kërkesave të qarta ndaj garantuesve ndërkombëtarë. Anëtarësimi në OKB, njohja nga pesë shtetet e BE-së jo njohëse, perspektiva e qartë europiane duhet të jenë të padiskutueshme siç duhet të jetë i padiskutueshëm forcimi i mëtejmë dhe jo dobësimi i shtetit të Kosovës në këtë proces”, tha Krasniqi për Klan Kosovën.
Krasniqi mendon se ky vendim tanimë duhet shfrytëzuar për një pozitë më të fortë të Kosovës në tryeza ndërkombëtare.
“Procesi i dialogut është një proces delikat dhe sfidues andaj duhet të jetë i mirëmenduar për të garantuar që interesi i Kosovës në tryezë do të mbrohet dhe shteti i Kosovës do të dalë dhe më i fuqishëm nga ky proces”.
ShBA-ja duhet të jetë konkrete në veprimet ndaj Serbisë nëse dëshiron të tregojë se ka vullnet të mirë, sipas Krasniqit.
“Kosova hoqi tarifën dhe reciprocitetin, tani Serbia duhet të veprojë pasi s’mund të ketë kushtëzime të njëanshme dhe përmbushje të këtyre kërkesave vetëm nga njëra palë. SHBA-të duhet të kërkojnë nga Serbia të ndërmarrë veprimet konkrete që i përmenda më lartë para fillimit të dialogut. Vetëm kështu mund të themi sa ka një shprehje të vullnetit të mirë nga palët. Kosova duhet të kultivojë marrëdhënie të vazhdueshme me miqtë ndërkombëtar dhe të sigurohet që interesi i saj si shtet i pavarur shtyhet përpara”.
Sa i përket qëndrimin të partisë opozitare, Vetëvendosjes dhe kryeparlamentares Vjosa Osmani se heqja e reciprocitetit minoi edhe sovranitetin e vendit, Krasniqi tha se kundërshtimi i tyre u prit.