ShBA-ja dhe shtete të tjera që e kanë njohur Kosovën, janë duke pasur qëndrime joparimore duke i kërkuar Kosovës të marrë veprime që nuk janë standarde për shtetet e pavarura dhe sovrane. Kështu ka vlerësuar profesori universitar, Milazim Krasniqi, duke komentuar zhvillimet e fundit sa i përket rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Krasniqi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se Qeveria Kurti është në një situatë të vështirë, pasi nuk po i lejohet që të sillet si në një shtet sovran, pas presionit që është duke iu bërë për të shtyrë zbatimin e kësaj rregulloreje.
Ai ka thënë se kjo situatë ndërlidhet edhe me shpalljen e Pavarësisë, e cila nuk është shoqëruar edhe me pranim të Kosovës në OKB. Sipas tij, asnjë shteti në botë nuk mund t’i kërkohet që të mbajë 20 vjet një valutë të një shteti tjetër, por kjo po i kërkohet Kosovës.
“Çështja është shumë më e ngatërruar, më komplekse sesa kriza e tashme. Kjo është për arsye se vetë shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk është shoqëruar me pranimin e saj në OKB dhe si rrjedhojë shumë nga qëndrimet kanë mbetur të dyzuara. Edhe Shteter e Bashkuara, edhe shtete të tjera e kanë njohur Kosovën, por në të njëjtën kohë i kërkojnë Kosovës që të bëjnë veprime që nuk janë standarde për shtet e pavarura dhe sovrane. Kështu vjen deri tek riciklimi i krizave. Kriza në raportet e tilla ka pasur edhe më herët. Ka situatë të krizave që riciklohen për shkak se nuk ka qartësi lidhur me statusin e Kosovës, madje edhe shtete që e njohin Kosovën në të vërtetë nuk sillen sikur ndaj një shteti sovran, por i bëjnë kërkesa që nuk janë në pajtim me standarde e shteteve sovrane. Çështja e dinarit, asnjë shteti në botë nuk mund t’i kërkohet që të mbajë 20 vjet një valutë të një shteti tjetër, ndërsa Kosovës i kërkohet”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kryeministri Kurti duke e ditur situatën në të cilën gjendet të trajtimit jo të barabartë të Kosovës në raport me Serbinë, do të duhej të ishte me i matur dhe bashkëpunues si me ShBA-në dhe BE-në.
Ai tha se kjo krizë i ka ashpërsuar marrëdhëniet me ndërkombëtaret edhe më shumë dhe se mund të prodhojë edhe jo stabilitet në vend, e sipas tij kjo situatë nuk është vetëm për fajin e qeverisë por edhe qëndrimeve joparimore të ndërkombëtarëve.
“Këtu dalim te problemi i pjesës së fajit të qeverisë Kurti. Duke e ditur këtë situatë të keqe dhe të trajtimi jo të barabartë të Kosovës në raport me Serbin në dialog, Kurti do të duhej të ishte më i matur, më transparent, më bashkëpunues me SHBA dhe BE-në. Por e vërteta është se edhe ai është në pozitë shumë të vështirë, është në pozitë të vështirë për shkak se nëse tenton të sillesh si një shtet sovran, ata nuk të lënë të sillesh si shtet sovran. Jam i bindur që kjo krizë, i ka ashpërsuar marrëdhëniet edhe më shumë dhe kjo mund të prodhojë edhe jostabilitet në Kosovë, sepse presioni enorm i Amerikës ndaj Qeverisë së Kosovës mund ta trimërojë Serbinë që të rritë projektet destabilizuese në drejtim të Kosovës. Pra është një situatë që nuk është parimore, është një situatë konfuze, kundërthënëse dhe kjo vjen si pasoj jo vetëm e politikave të Qeverisë Kurti, por edhe qëndrimeve joparimore të sponsorëve të Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë se çdo qeveri në Kosovë para vendimeve do të duhet që të sillet me maturi duke e ditur që nuk ka fuqi të mjaftueshëm për të imponuar vetë vendimet që merr.
Ai tha se duke marr parasysh insistimin “pothuajse arrogant” të ShBA-së, Kosova duhet që ta shtyjë këtë vendim.
“Çdo qeveri e Kosovës duhet të sillet me maturi për shkak se nuk ka fuqi të vetën të mjaftueshëm për të imponuar vendimet që merr. Unë jam i bindur që nuk bahet kiameti edhe nëse shtyhet ky vendim për dy-tre muaj dhe nëse gjenden forma më të buta të zbatimit, sepse nëse është toleruar 20 vjet mund të tolerohet edhe tre muaj për shkak se ky insistimi i fundit i SHBA-së është pothuajse arrogant”, ka thënë ai.