Profesori universitar, Milazim Krasniqi, thotë se kërcënimet për atentate ndaj drejtuesve të dy partive kryesore opozitare politike, PDK dhe LDK, dhe disa deputetëve, për të cilat u raportua javën e kaluar në medie, mund të jenë janë më shumë me motive psikiatrike, sesa kërcënime politike.
Në një bisedë për Ekonomia Online, Krasniqi tha se liderët politikë që shpërfaqin më shumë opozitarizëm, mund të bëhen target i fanatikëve të partive të tjera. Megjëse thekson se nuk është e logjikshme që njerëzit e një opozite kaq shumë konstruktive, të targetohen për atentate.
Javën e kaluar në media u raportua fillimisht se kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe tre deputetët e kësaj partie ishin pjesë e një plani për atentat fizik, që u zbua rastësisht nga shërbimi sekret gjerman. Më pas, doli se edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe deputetja e këtij subjekti Ganimete Musliu, janë përmendur si caqe të mundshme për vrasje.
“Unë besoj që janë më shumë motive psikiatrike se sa politike, pra mendoj që njerëzit që kanë çrregullime psikike, mendoj që mund të zgjidhin problemet me vrasje politike. Përndryshe problemet me vrasje politike ka tentuar t’i zgjidhë Serbia, por nuk ka pas kurrë sukses, për shembull me vrasjen e vëllezërve Gërvalla, Kadri Zekës, të Enver Hadrit edhe personalitete të tjera, si Enver Maloku etj.”
“Serbia vetëm sa e ka radikalizuar popullin shqiptar, për ta refuzuar gjendjen e okupimit dhe kjo ka çuar pastaj në luftë çlirimtare, pra çdokush që mendon politikisht e di, që vrasjet politike ose kërcënimet politike vetëm sa e bëjnë më të keqe gjendjen dhe kurrë nuk ofrojnë zgjidhje”, tha Krasniqi për Ekonomia Online.
Profesori Krasniqi, i cili është babai i kryetarit të PDK-së, Memli KRasniqi, thotë se në planin personal e ka pak të vështirë ta thotë, por të gjithë këta liderët politikë që shfaqin më shumë opozitarizëm, mund të jenë target i “fanatikëve” të partive të tjera.
“Mund të mos jetë bash diçka shumë serioze, sepse ende organet e sigurisë nuk kanë një qëndrim të qartë, por nuk ka logjikë që njerëzit e tillë të një opozite shumë konstruktive, të targetohen për atentate, sepse po të shikoni edhe opozitarizmin edhe të LDK-së edhe të PDK-së në këtë periudhë është një opozitarizëm shumë konstruktiv, ata më shumë përpiqen që ta ndihmojnë procesin politik edhe Kosovën se sa që kanë ndonjë agjendë për ta rrëzuar Qeverinë. Në fakt nuk kanë fare agjendë për ta rrëzuar Qeverinë, prandaj nuk ka asnjëlloj arsye që të konsiderohen si armiq të Qeverisë”.
“Normalisht nuk përjashtohet mundësia e fanatikëve, të sëmurëve psikikë që mund të kenë ide të marra, por në planin politik unë besoj që edhe opozita edhe Qeveria ose Lëvizja Vetëvendosje, megjithatë kanë kanale të komunikimit edhe të bashkëpunimit, veçmas në Parlament, kështu që nuk ka ndonjë lloj armiqësie ndërmjet tyre” tha ai.
Në fund, Krasniqi thekson se me temën e kërcënimeve, publiku ngarkohet shumë.