Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online ka folur për projektet që ka paraparë ministria gjatë vitit 2022, duke theksuar avancimin e kornizës ligjore dhe performancën komunale.
Tutje, Ministri Krasniqi tha se granti i performancës kap vlerën 8 milionë euro ndërsa ai i për investime kapitale 2.5 milionë euro.
“Për vitin 2022 është paraparë aspekti i avancimit të kornizës ligjore për pushtetin lokal por edhe programeve implementuese që si ministri kemi në mbështetje të komunave dhe ku mund ti përmend dy prej programeve kryesore që është performanca komunale me 119 indikatorë dhe 4 indikatorë shtesë, ndërsa pjesa e granitit të performancës është 100% më e madhe mbështetje financiare nga qeveria.
“Këto dy programe janë të dedikuara që të mbështeten komunat bazuar edhe në perfomancën e tyre. Po flasim për grantin e performancës që kap vlerën 8 milionë euro dhe vitin e kaluar ka qenë 4 milionë. Granti tjetër për investime kapitale i cili kap vlerën 2.5 milionë euro. Këto janë projekte që financojnë investimet kapitale në komunat e Kosovës. Bashkë me ministrinë i përcaktojnë cilat janë projektet dedikuar komunave”, tha Krasniqi.
Ai përmendi edhe komunat veriore, duke shtuar se nuk ka asnjë dallim ndërmjet tyre sepse që të gjitha trajtohen barabartë.
Krasniqi shtoi se fokusi i tyre është mbështetja e vazhdueshme për komunat, raporton EO.
“Nuk ka asnjë dallim në mes të bashkëpunimit të cilësdo komunë të Kosovës. 38 komunat e Kosovës kanë trajtim të barabartë nga ministria jonë. Që të gjitha e shfrytëzojnë mundësinë e mbështetjes nga ana e ministrisë dhe i nënshtrohen legjislacionit për vetë qeverisje lokale. Jemi të fokusuar që të kemi mbështetje të vazhdueshme për qeverisjen lokale, të kemi procese që avancojnë transparencën në nivel komunal dhe të cilat i mundësojnë qytetarëve që të përfitojnë shërbime më të mira nga komuna”.