Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka kritikuar kryeministrin Albin Kurtin, pasi u dakordua në Ohër të Maqedonisë, për aneksin e zbatimit të marrëveshjes.
Ai tha se fillimisht Kurti pranoi më 27 shkurt propozimin, pastaj të shtunën e 18 marsit u dakordua edhe për aneksin e zbatimit e që sipas tij ai pranoi të gjitha ato që kishte premtuar të kundërtën.
“Me 27 shkurt, në Bruksel, Kryeministri Kurti e pranoi propozimin evropian. Dje, me 18 mars, ai u dakordua edhe për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Në më pak se tri javë, Albin Kurti pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte, përgjatë tërë jetës së tij politike me predikime të rrejshme e mashtrime të panumërta”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se përtej të gjithave brengë mbetet Kosova dhe qytetarët e saj që përveç që e kanëhumbur besimin, do të jenë për vite në konflikt të ngrirë me vendin fqinj.
“Por, përtej mashtrimeve të tij, brenga ynë mbetet Kosova, qyetarët tanë dhe brezat e ardhshëm, të cilët, fatkeqësisht, përveç që e kanë humbur besimin në perspektivën që ofron Kosova, do ta trashëgojnë për vite me radhe konfliktin e ngrirë me Serbinë. Dhe kjo është pasojë direkte e gabimeve të Albin Kurtit që ka negociuar dhe mundësuar këtë marrëveshje që është e pamjaftueshme për Kosovën dhe që nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare”, tha Krasniqi.
Në fund i pari i PDK-së e quajti dështim të madh politik krejt punën e Kurtit.
“Marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë”, shkroi Krasniqi.