Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropianë dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi nëpërmjet një postimi në Facebook sërish ka adresuar të gjeturat e raportit të Komisionit Evropian për vendet e rajonit. Ajo ka thënë se Kosova qëndron ndër vendet më të dobëta sa i përket fushave të mbuluara nga raporti.
Krasniqi thotë se gjetjet janë të zymta sidomos në fushën e administratës publike, gjyqësorit dhe të drejtave themelore, funksionimit të gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit, lirisë së shprehjes, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, luftës kundër krimit të organizuar, ekzistenca e një ekonomie tregu funksionale, dhe kapaciteti për të përballuar presionin konkurrues, statistikat dhe kontrolli financiar.
Ajo e konsideron esenciale që qeveria t’i trajtojë mangësitë dhe t’i japë përparësi zhvillimit të politikave gjithëpërfshirëse për korrigjimin e mangësive të identifikuara.
“Si kryetare e këtij komisioni parlamentar, i bëj thirrje qeverisë që të investojë në ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme për të çuar përpara agjendën evropiane. Kjo nuk është vetëm çështje e përmbushjes së kërkesave të BE-së, por edhe një përkushtim për rritjen e mirëqenies dhe prosperitetit të qytetarëve të Kosovës.”, tha ajo.