Profesori universitar, Milazim Krasniqi, i ka cilësuar si të panevojshme dhe të tejezgjatura vizitat e kryeministrit Albin Kurti, i cili po qëndron qe 11 ditë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sikurse dhe të presidentes Vjosa Osmani.
Krasniqi, në një intervistë për Ekonomia Online shprehet se në këtë periudhë krize, politikanët, zyrtarë shtetërorë më prioritet do të duhej ta kishin të ishin në vend dhe të koncentroheshin në punët emergjente që janë në Kosovë sesa “këto lloje ekskursionesh” siç i quan ai.
“Edhe Presidentja edhe Kryeministri kanë bërë vizita edhe të panevojshme edhe të tejzgjatura. Po të shikohet në kontekstin e zhvillimeve aktuale veçmas në rajonin tonë dhe këtë që po ndodh me agresionin ushtarak rus në Ukrainë është një kohë kur politikanët zyrtarë shtetërorë më prioritet do të duhej t’a kishin të ishin në vend dhe të koncentroheshin në punët emergjente që kemi këtu se sa këto lloje ekskursionesh”, tha Krasniqi për Ekonomia Online.
Sipas Krasniqit, pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, do të duhej që fokus të ishin shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, e jo Panamaja.
“Pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës do të duhej që fokus të ishin shtetet evropiane anëtare të Këshillit të Evropës, e jo Panamaja, lugina e Silikonit, por mbetet që të shohim në fund se çfarë do të rezultojë nga këto vizita veçmas nga vizita e tejzgjatur e Kryeministrit Kurti i cili po bënë vizita nëpër ndërmarrje ekonomike, ndërsa e vërteta është se momentalisht Kosova prioritet absolut e ka sigurinë, konfirmimin e aleancës me NATO-në edhe anëtarësimin eventual në Këshillin e Evropës si dhe liberalizimin e vizave”, tha Krasniqi.
Tutje Krasniqi ka folur edhe për aplikimin e Kosovës në Këshillin Evropian, ku është shprehur shumë optimist se ky proces do të përfundojë shpejt, pasi sipas tij Rusia e cila ka qenë makineria bllokuese për anëtarësimin e Kosovës në KE është suspenduar.
Por profesori tha se Kosovës tani i duhet lobim tek shtetet hezituese nga vet vendi por edhe nga Shqipëria e shtete të tjera.
“Aplikimi në KE është gjëja e duhur, ka pasur edhe sinjale nga miqtë e Kosovës që duhet të aplikohet në KE veçmas pas suspendimit dhe largimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës, kur është hekur makineria kryesore bllokuese ndaj Kosovës. Në këtë aspekt aplikimi është gjëja e duhur por tash duhet të vazhdojë një proces i fuqishëm i lobimit tek shtetet të cilat janë hezituese edhe nga Kosova por edhe nga Shqipëria dhe shtete të tjera që e sponsorizojnë këtë lobim”.
“Është e çartë se Rusia paraqet rrezik të madh edhe për Evropën duke përfshirë edhe Ballkanin dhe NATO, BE, KE, gjitha institucionet e perëndimit janë mobilizuar që t’i mbyllin vrimat e zeza në mënyrë që ta zvogëlojnë hapësirën ku Rusia mund të godas me veprimet e saj destruktive”, tha Krasniqi.