Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) do të japë përkrahje të vazhdueshme për kultivimin e patates, ka premtuar ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, në manifestimin për shënimin e Ditës së Patates në Pestovë të Vushtrrisë.
Ai është zotuar se edhe subvencionet për kultivimin e patates do të rriten.
Sipas ministrit Krasniqi, ka shumë kultura bujqësore që kanë treguar sukses, por shembulli më i mirë sipas tij është kultura bujqësore e patates në Kosovë.
Ai tha se ka vite që prodhuesit e patates përveç që plotësojnë konsumin në vend, por edhe për tregje të rajonit dhe më gjerë me eksport. “Sa herë kur flitet për pataten, pa dyshim se bëhet fjalë për Vushtrrinë dhe Pestovën”, tha Krasniqi.
Ministri Krasniqi tha se kultivimi i patates në Kosovë është një tregim i suksesit dhe ka ardhur si rezultat i një bashkëveprimi të institucioneve vendore me fermerët dhe kompanitë përpunuese. E për ngritjen e standardeve prodhuese e përpunuese të këtyre agrobizneseve, Ministria e Bujqësisë në vazhdimësi është duke dhënë mbështetjen e saj përmes granteve investive, të cilat po rriten nga viti në vit.
Ai tha se patatja është një nga produktet që për disa vjet ka arritur që të prodhohet mjaftueshëm për tregun vendor dhe me këtë produkt ai tregoi se po arrijmë që t’i plotësojmë nevojat e konsumit vendor që është një qellim që synohet të arrihet edhe në produktet tjera, si pemët e perimet.
“Ne e kemi mbështetur prodhimin e patates për vite me radhe, dhe kjo mbështetje do të vazhdojë përmes skemës së subvencioneve dhe granteve. Po ashtu po me gëzon fakti që si Kosovë kemi zhvilluar kompani që e furnizojnë tregun tonë me produkte cilësore të përpunimit të patates”, tha ministri Krasniqi.
Ai ka treguar se do të vazhdojnë të mbështesin bujqësinë, pasi që ky sektor po kontribuon shumë në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës dhe këtë vit vetëm nga buxheti i ministrisë, ai tha se kanë ndarë 46 milionë euro.
Ndërkaq, Elena Petrovka nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), ka thënë se sektori i bujqësisë është një sektor me vlerë për zhvillimin e Kosovës.
Ajo ka theksuar se BERZh-i vazhdimisht mbështetë financiarisht kompanitë private, ndërkaq kompaninë “Pestova” ka mbështetur me 2,5 milionë euro.
Përkrahje kanë dhënë edhe nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë, Dibran Përçuku. Ai tha se janë krenarë që fermerët e patates kanë shtuar prodhimtarinë dhe rendimentet e patates.
Pronari i kompanisë “Pestova”, Bedri Kosumi, tha se fatmirësisht ky vit ka qenë i suksesshëm për prodhimin e patates. “Ju bëj thirrje fermerëve që në të ardhmen te jenë edhe më të mirë dhe gjithsesi do të punojmë edhe shumë më shumë që të jemi edhe më të mirë edhe më konkurrent në tregun vendor dhe atë ndërkombëtarë”.
Më tutje, Kosumi u shpreh se bujqësia është “hambar pa kulm” pasi varet nga kushtet klimatike. Andaj ai kërkoi që të bëhet sigurimi i prodhimeve, të cilat janë nën qiell të hapur. Ai po ashtu kërkoi zgjerimin e sistemit të ujitjes.
Në gjithë territorin e Kosovës sivjet kanë qenë të mbjella rreth 7 000 hektarë me patate, ndërkaq vetëm në komunën e Vushtrrisë ishin rreth 2 000 hektarë që rendimentet ishin rreth 35 mijë tonelata për një hektar. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural çdo vit subvencionin fermerët kultivues të patates me nga 300 euro për hektar dhe mbështetet këtë sektor edhe përmes granteve investive.