Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka deklaruar se nuk do të lejojë zgjedhje të jashtëzakonshme e as shpërbërje të Kuvendit në situatën në të cilën po gjendet Kosova nga pandemia Coronavirus.
Madje ai ka ftuar subjektet politike për formimin e Qeverisë gjithëpërfshirëse.
Por, njohësi i çështjeve politike, Albert Krasniqi për Ekonomia Online tha se presidenti nuk mund të imponojë subjektet politike për Qeveri gjithëpërfshirëse.
Krasniqi tha se Lëvizja Vetëvendosje duhet ta paraqes vendimin e saj, duke thënë se kjo mund të bëhet edhe në formë të shkruar, e të mos shkojë fare në takim te kreu i shtetit.
“Gjithmonë ka opsion nëse partitë politike nuk arrijnë deri në një konsensus për të tejkaluar nga kjo situatë. Nëse nuk arrijnë të ketë një shumicë të nevojshme parlamentare në Kuvend për zgjedhjen e Qeverisë së re, atëherë mund të shpërndaj Kuvendin dhe të shkoj vendi në zgjedhje të jashtëzakonshme, e që presidenti do të tentojë ta evitoj një mundësi të tillë, duke i dhënë hapësirë partive për një zgjidhje tjetër”.
“Nëse partitë politike nuk kanë vullnet për Qeveri gjithëpërfshirëse, atëherë presidenti nuk mund ta imponojë një gjë të tillë. Presidenti në fillim duhet ta konsultoj Lëvizjen Vetëvendosje dhe nuk do të thotë se mund të ketë takim formal, kjo gjë mund të bëhet edhe në forma të tjera të komunikimit. Nëse VV-ja nuk ka një kandidatë për të formuar qeverinë duhet të kthej përgjigje”, ka thënë Krasniqi.
Mes tjerash, Krasniqi potencoi se VV-ja nuk duhet ta prolongojë situatën, pasi që paraqet rrezik për vendin.
Ai thotë se kjo parti mund t’ia dorëzojë pushtetin një partie tjetër, e që mund të jetë LDK-ja. Andaj ai kërkon që subjektet politike të jenë të matura e të mobilizohen për luftimit e virusit Corona.
Ndër të tjera, Krasniqi tha se zgjedhja e duhur është një Qeveri teknike për tejkalimin e situatës, raporton EO.
“Nëse VV refuzon të përgjigjet të kemi një situatë përmes këtij prolongimi të evitohet zgjedhja e një qeverie të re, kjo paraqet një rrezik. Do të ishte një tentim për të refuzuar dhe për të transferuar pushtetin të një parti tjetër politike, që mund me nxitë një situatë të përkeqësimit dhe një polarizim të skajshëm e përshkallëzim me dhunë që mund të ndodhë, e kjo duhet të evitohet. Partitë duhet të jenë të matura”.
“Na duhet mobilizim i gjitha resurseve për shkak se jemi në kohë jashtëzakonisht të ndjeshme. Sa më pak pasoja qoftë në aspektin shëndetësor e ekonomik, e cila pritet që të ketë një krizë që do të pasojë pas kësaj pandemie”.
“Është në vullnetin e partive të vendosin, e mirë do të ishte që të kemi një qeveri e cila në përbërjen e saj të ketë përfaqësim teknik për të tejkaluar këtë situatë. Partitë duhet të heqin dorë nga interesat e tyre momentale për përfitim të pushtetit dhe të vijnë në dispozicion të qytetarëve të saj”, u shpreh ai.
LEXONI EDHE: