Takimi i nesërm konsultativ në mes të koalicionit PAN dhe të kryesuesit të Kuvendit Adem Mikullovci pritet që të rezultojë në arritjen e caktimit të datës së seancës së radhës. Nënkryetari i PDK-së thotë se shpresojnë në një dakordim mes palëve. Por nuk dihet nëse aty do të shkojë dikush tjetër përveç PAN-it. Ky takim vjen pas dështimit të pesë seancave të kaluara për t’u formuar institucionet.
Ndonëse kishte thënë se nuk do të ketë mbledhje konsultative, kryesuesi i seancës Adem Mikullovci ia ka mundësuar PAN-it që të mërkurën (nesër) të mblidhen për të diskutuar rreh kërkesës së tyre rreth seancës.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi thotë për Gazetën Express se shpreson që të nesërmen të arrin edhe deri të caktimi i datës së seancës.
“Ne shpresojmë se përmes dakordimit në takimin konsultativ do të përcaktohet data e mbajtjes se seancës” është shprehur Memli Krasniqi.
Ndërkohë që në takimin e thirrur për nesër e ka mohuar pjesëmarrjen e tyre Lëvizja Vetëvendosje, derisa qëndrimin e tyre nuk e ka bërë të ditur ende koalicioni LAA.
Por, një takim tjetër pritet që të zhvillohet ditën e nesërme nga koalicioni LAA i cili do të organizojë një tryezë diskutimi në Kuvendin e Kosovës, e ku temë kyçe do të jetë bllokada drejt formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Ata në tryezën e tyre nuk e kanë ftuar vetëm koalicionin PAN.
Deri më tani janë pesë seanca të cilat kanë dështuar në zgjedhjen e Kryeparlamentarit dhe të nënkryetarëve, pasi koalicioni PAN nuk ka pranuar që të marrin pjesë. Arsyeja për këtë sipas tyre ishte se seancat janë thirrur njëanshëm.
Sot, PAN-it i është bërë edhe një kërcënim nga zyrtari i Nismës Milaim Zeka. Ky i fundit ka thënë se nëse PAN nuk sjell emër për kryeparlametar deri të hënën, Nisma të largohet nga koalicioni.