Drejtoresha e programit për dialog në KDI, Jeta Krasniqi ka komentuar miratimin e Platformës shtetërore për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se e tërë kjo ka ndodhur pa një diskutim të mirëfilltë të kabinetit qeveritar, pa një sqarim apo qartësim se çfarë përmban kjo platformë apo të vet procesit të ndërmarr nga ky kabinet për të ardhur deri të përpilimi i kësaj platforme shtetërore.
“Pak më parë Qeveria e Kosovës miratoi Platformën shtetërore për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi, çështje e cila nuk ishte paraparë si pikë e veçantë në rendin e ditës, por u prezantua në të ndryshmet. Një dokument me gabime teknike që përmbante edhe emrin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës duke e vënë në hamulli edhe vet kabinetin se çfarë dokumenti ishin duke miratuar. U tha që ky dokument do ti përcillet Kuvendit të Kosovës për të miratuar një Rezolutë për fazën e re të dialogut dhe se ‘deputetët kanë me pas vullnet me diskutu rreth saj”.
”Me kaq u përmbyll edhe ai pak debat mbi fjalët e përzgjedhura (jo substancën) në këtë platformë dhe obligimi i Qeverisë së Kosovës për këtë proces. Simbolika e kalimit të kësaj platforme më 19 prill që shënon edhe 5 vjetorin e arritjes së Marrëveshjes e Parë e parimeve për normalizim marrëdhëniesh, marrëveshje e cila 5 vjet nuk ka arritur të gjej zbatim apo të normalizoj marrëdhëniet në mes palëve, duhet patjetër të shënohej me një seriozitet të lartë të Qeverisë së Kosovës”.
”Qeveria e Kosovës duhej të prezantonte në një seancë të veçantë plenare për deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe më pas në një konferencë të veçantë për qytetarët e Kosovës rrugëtimin e deritanishëm të këtij procesi, mangësitë dhe përfitimit nga ky proces, finale e saj dhe mbi të gjitha vizionin e Qeverisë së Kosovës për të ardhmen e dialogut ku do duhet të artikuloheshin qartë temat, afatet kohore, epilogu, propozimi për ekipin negociues, garancat e kërkuara nga BE – pra një strategji e mirëfilltë e shtetit të Kosovës në mbështetje të platformës shtetërore për dialogun Kosovë-Serbi”.
“Të jemi të qartë, pjesëmarrja e një pjese të liderëve politik në një konferencë të shoqërisë civile nuk mund të zëvendësojnë debatin politik dhe shoqëror të cilin duhet ta kishte ndërmarr Qeveria e Kosovës për të ardh deri të përpilimi i kësaj platforme shtetërore rreth dialogut Kosovë-Serbi. Gjithsesi presim të shohim se çfarë përmban kjo platformë në momentin që të bëhet publike përmbajtja e saj”, ka shkruar ajo në një postim në llogarinë e saj në Facebook.