Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memeli Krasniqi dhe bashkëshortja e tij Meliza Krasniqi kanë votuar në shkollën, “Hasan Prishtina”, raporton Ekonomia Online.
Krasniqi, tha se zgjedhjet lokale janë për qytetarët dhe jo për politikanët, duke u bërë thirrje qytetarëve të dalin në mënyrë masive të japin verdiktin e tyre.
“Edhe sot në këtë raund të dytë bashkë me Melizën votuam në Prishtinë, sepse besojmë që është obligim i të gjithëve dhe pavarësisht kush e ka vazhduar garën qytetarët të dalin në mënyrë masive të japin verdiktin e tyre se kush dëshiron të udhëheq në katër vjetarin e ardhshëm”.
“…besoj fuqishëm se zgjedhjet lokale janë për qytetarët dhe jo për politikanët, andaj është e rëndësishme të kemi pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve”.
“Është ditë e bukur dhe shpresoj që të jetë ditë e shkëlqyeshme për demokracinë dhe prej këtu e tutje të kemi institucione lokale funksionale që e bëjnë punën e tyre”.
Sipas vendimit të KQZ-së, numri i fletëvotimeve që janë shtypur për këtë raund është 1 milion e 136 mijë e 150 fletëvotime. Edhe për këto zgjedhje, janë shtypur më pak fletëvotime, 10 për qind apo rreth 125 mijë fletëvotime me pak se numri i përgjithshëm i votuesve të këtij raundi.
KQZ-ja në këto votime do të angazhojë 80 ekipe mobile vetëm për të mundësuar votimin e personave me nevoja të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkak të paaftësisë shëndetësore, fizike apo çfarëdo paaftësie tjetër.
Numri i qytetarëve të regjistruar si votues me nevoja të veçanta është rreth 2 450, prej të cilëve 1 544 janë votues të cilët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për shkak të paaftësisë fizike apo shëndetësore, ndërsa 899 janë votues që janë në hospitalizim, në shtëpi të caktuar për të moshuar, të burgosurit dhe të paraburgosurit.
Po ashtu, KQZ-ja do të angazhojë edhe 30 ekipe të tjera mobile për të mundësuar votimin e qytetarëve të infektuar me Covid-19.