Krasniqi: Sot marshojmë krenarë për ata që dikur marshuan drejt lirisë

Prishtinë | 02 Pri 2023 | 15:24 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se protesta e sotme “Liria ka emër”, po përcillet drejtpërdrejt nga ish-krerët e UÇK-së nga Haga, teksa ka ftuar qytetarët të duartrokasin dhe brohorasin UÇK, raporton Ekonomia Online.

Krasniqi nga Sheshi “Skenderbeu” në Prishtinë, në një fjalim para mijërave qytetarëve, tha se sot “Marshojmë për Drejtësi” për t’u solidarizuar me çlirimtarët tanë, duke besuar fuqishëm se ata do të rikthehen fitimtarë.

“Në këto momente janë duke na përcjellur drejtpërdrejt çlirimtarët tanë nga Haga, Hashim Thaqi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Kjo pamje është mesazhi më i qartë se Liria ka emër dhe se UCK nuk zbehet as me gjeneratat e reja”, u shpreh Krasniqi.

“Sot, ballëlartë e me zemër plot, marshojmë krenarë, për ata që dikur marshuan drejt lirisë. Marshojmë për të kërkuar drejtësi, për ata që nga nesër do të përballen më një proces gjyqësor, në të cilin nuk janë për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak të epokës së lavdishme që përfaqësojnë. Marshojmë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre që sot janë larg nesh, duke e zhvilluar betejën e fundit, për dinjitetin dhe të vërtetën e luftës sonë për liri. Dhe duke besuar fuqishëm në drejtësi, nuk kemi dyshim se do të rikthehen si fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë, sepse janë heronj të gjallë, që përveç lirisë, s’kanë pasur një mision të dytë dhe përveç pavarësisë, s’kanë pasur një projekt rezervë. Sot, ne solidarizohemi me ta, sepse ata janë pasqyra e një rrugëtimi historik e kombëtar, demokratik e qytetërues, por që s’ka përfunduar akoma”, theksoi Krasniqi.

Krasniqi kërkoi drejtësi për të vërtetën dhe historinë e popullit tonë, të cilat, siç tha ai, askush, kurrë dhe me asgjë, nuk do të mund t’i ndryshojë e t’i shtrembërojë.

“Lufta e popullit tonë për çlirim nuk ishte thjeshtë një ballafaqim ushtrish, por një luftë ndërmjet lirisë dhe tiranisë, ndërmjet drejtësisë dhe të padrejtës, ndërmjet shpresës dhe dëshpërimit. Dhe ne ishim të rreshtuar në anën e lirisë, drejtësisë dhe shpresës. Prandaj, po! Ne kërkojmë drejtësi, sepse për krimet e panumërta ndaj qytetarëve tanë, mijëra kriminelë serbë nuk kanë dalë kurrë para drejtësisë. Por, mbi të gjitha, kërkojmë drejtësi, sepse drejtësia është virtyti që e vulosë të vërtetën dhe historinë e popullit tonë, të cilat askush, kurrë dhe me asgjë, nuk do të mund t’i ndryshojë e t’i shtrembërojë”, u shpreh ai.

Ai shtoi se lavdia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund pakësohet me kalimin e viteve, e as nuk tjetërsohet me ndryshimin e gjeneratave.

“Bashkimi jonë rreth një kauzë të drejtë është pikërisht ajo që i duhet më së shumti Kosovës, sepse vetëm kështu siç jemi sot, ia kemi dalë gjithmonë ta mbrojmë të vërtetën dhe ta kërkojmë të drejtën që na takon. Prandaj, nga zemra, ju jam mirënjohës gjithsecilit prej jush, që me ndërgjegje të lartë patriotike e kombëtare, me vetëdije të lartë qytetare e shtetërore, bashkë me familjet tuaja, jeni sot këtu, për t’ia dhënë një pamje të tillë Kosovës. Kjo pamje, është mesazhi më i qartë dhe më i drejtpërdrejtë, se liria jonë ka emër, dhe se lavdia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk pakësohet me kalimin e viteve, e as nuk tjetërsohet me ndryshimin e gjeneratave. Dhe se çdo gjeneratë e së ardhmes, do ta ketë po të njëjtin emocion si gjeneratat e të sotmes, sa herë që i thërret tri shkronjat e arta të lirisë sonë: U Ç K!”, tha lideri i PDK-së.

Krasniqi përmendi periudhat kur si popull e si komb, kemi bërë një marsh të gjatë e historik, prej kërkesave legjitime për barazi, liri e pavarësi, deri tek lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se ky bashkim sot ia rikujton marshin e popullit të Kosovës drejt lirisë.

Të ngjashme