Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka takuar komunitetin shqiptar në Kantonin e Gjenevës.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, është shprehur se festa e 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës nuk mund të përmbyllej pa e ndarë gëzimin me mërgatën, e cila i ka dhënë shumë Kosovës për arritjen e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.
Falënderim për Prof. Djawed Sangdel, drejtor menagjues i Swiss UMEF University, në hapësirat e të cilit patëm një takim mbresëlënës me komunitetin shqiptar në Kantonin e Gjenevës. Mërgata jonë këtu, përveç që kanë dhënë gjithçka për Kosovën, po ashtu ka sjellë edhe Kosovën në Zvicër. Xhaka, Shaqiri, Behrami e shumë sportistë e artistë të tjerë, sot i bëjnë nder secilit qytetar të Kosovës, secilit shqiptar kudo që është, me kontributin e tyre në zhvillimin e sportit, artit e kulturës dhe fushave të tjera këtu në Zvicër”, shkruan Krasniqi.
Kreu i PDK-së thotë se duke krijuar mundësi për rikthimin e trurit dhe investitorëve nga mërgata në Kosovë, mund të ndërtohet një ardhme më prosperuese për shtetin dhe qytetarët e Kosovës.Është për t’u përshëndetur fakti se mërgata jonë ka arritur të integrohet më mirë se kushdo tjetër nga jashtë, pa e shkëputur as edhe më të voglin element që i lidhë me Kosovën dhe me kombin tonë. Dilema rreth të ardhmes tonë nuk ka. Duke krijuar mundësi për rikthimin e trurit dhe investitorëve nga mërgata në Kosovë, ne mund ta ndërtojmë një të ardhme më prosperuese për shtetin dhe qytetarët tanë”, shkruan Krasniqi.