Ish-kryeparlamentari i Kosovës, aktualisht kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka thënë se të gjitha rrethanat thonë që Nisma do të garojë e vetme në zgjedhjet e parakohshme.
Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se në këto zgjedhje presin që qytetarët ta vlerësojnë punën e Nismës në qeverisje dhe programin e saj zgjedhor socialdemokrat.
Z. Krasniqi si e shihni ecurinë e zhvillimeve në skenën politike, do të ketë shpërndarje të Kuvendit të enjten dhe zgjedhje të parakohshme apo do të krijohet një qeveri teknike?
Krasniqi: Ka vite që zhvillimet politike në Kosovë kanë në të shumtën dy agjenda. Agjenda e bisedimeve me Serbinë dhe ajo e zgjedhjeve apo ndonjë zhvillim tjetër dhe që të gjithë kanë një qëllim: si të mashtrohen zgjedhësit për të fituar sa më shumë vota, por synimi nuk është për të qeverisur mirë. Nëse i kemi parasysh deklarimet e partive politike, shpërndarja e Kuvendit nuk ka alternativë, ashtu edhe zgjedhjet e parakohshme. Qeveria teknike ka pak apo edhe hiq gjasa.
Sipas jush, cili do të ishte opsioni më i mirë për të ardhmen e vendit?
Krasniqi: Opsioni më i mirë do të ishte sikur mandatet qeverisëse të ishin kushtetuese (katërvjeçare), por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Opsioni më i mirë do të ishte ndryshimi për qeverisje të mirë. Por, kjo ndodh nëse qytetarët e refuzojnë mashtrimin dhe manipulimin.
Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme a do ta dëmtojë vendin në procesin e integrimeve euroatlantike dhe proceseve të tjera?
Krasniqi: Sikur zgjedhjet e parakohshme apo të jashtëzakonshme të ishin të lira, të drejta, të ndershme e demokratike, nuk e dëmtojnë vendin, por zgjedhje të tilla ende nuk kemi parë. Zgjedhjet e tilla do të ishin në shërbim të integrimeve euroatlantike.
ShBA-ja dhe Quint-i po bëjnë thirrje për vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të mund të rifillojë ky proces para krijimit të institucioneve të reja nëse do të ketë zgjedhje në vjeshtë?
Krasniqi: Presioni i vendeve perëndimore duhet të drejtohet mbi Beogradin, pasi aty janë pengesat kryesore për dialogun dhe rezultatet pozitive të dialogut të zhvilluar për disa vite në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së. Pas vendimit të GJND-së, se pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me të Drejtën ndërkombëtare, presioni ndërkombëtar është dashur ta ketë vetëm një adresë: Serbinë!
Z. Krasniqi të gjitha partitë politike kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet e reja, cilat janë pritjet e Nismës nga këto zgjedhje?
Krasniqi: Partitë gjithnjë e kanë të drejtën të përgatiten për zgjedhje. Zgjedhësit duhet të përgatiten që të votojnë për programet politike e zgjedhore, të cilat programe duhet të lexohen e rilexohen me kujdes. Qytetarët duhet t’i ndëshkojnë të gjitha partitë politike që kanë pasur kryeministrin e tyre në qeveritë e pas pavarësisë dhe kanë qeverisur shumë keq. Në këto zgjedhje ne presim që qytetarët ta vlerësojnë punën e Nismës në qeverisje dhe programin e saj zgjedhor socialdemokrat. Qytetarët duhet ta vlerësojnë ofertën e Nismës Socialdemokrate, gjuhën e saj të komunikimit dhe vendosmërinë e saj për të sjellë ndryshimin. Jam i bindur se ndryshimi në Kosovë vjen me Nismën Socialdemokrate. Natyrisht, ndryshimi nuk vije pa vullnetin e lirë të qytetarëve për ndryshim. Në votën e qytetarëve është çelësi i ndryshimit për qeverisje të mirë.
Nisma do të garojë e vetme apo në koalicion parazgjedhor?
Krasniqi: Romakët e vjetër e kishin një shprehje e cila thoshte: ‘Të gjitha rrugët të çojnë në Romë’. Të gjitha rrethanat na thonë që Nisma në zgjedhje të parakohshme shkon e vetme.
Ju nuk e keni përjashtuar mundësinë e një koalicioni edhe me PDK-në, pse mendoni se do t’i duhet vendit një koalicion i tillë?
Krasniqi: Nisma nuk vendos vija të kuqe për asnjë parti që mund t’i fitojë zgjedhjet. Kushtet e vendosura në atë shkrim timin kanë pasur për qëllim mos bërjen e koalicioneve parazgjedhor me asnjë parti tjetër dhe jo vetëm me PDK-në, por shkrimi është parë në një dimension tjetër, që unë nuk e kam menduar. Shkurt, nuk kam qenë e nuk jam për koalicione parazgjedhore të “meshavinave” politike, por kjo varet shumë nga rezultati zgjedhor pas zgjedhjeve.