Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi ka uruar qytetarët e Kosovës për miratimin e liberalizimit të vizave nga Parlamenti Evropian.
Ajo tregoi se Kosova ka plotësuar kriteret që nga viti 2016 dhe 2018. Megjithatë, u shpreh se ka pasur disa shtete skeptike për heqjen e vizave.
Po ashtu, Krasniqi e cila është edhe kryetare e Komisionit Parlametnar për Integrime Evropiane, përmendi faktorët e brendshëm që kanë ndikuar për mos-liberalizimin e vizave deri më tani.
Sipas saj, kryeministri Albin Kurti në kohën kur ishte në opozitë ka penguar këtë proces përmes veprime të ndryshme, raporton Paparaci.
Krasniqi deklaroi se LVV-ja përmes protestave “të dhunshme” ka bërë që Kosova ta humbet momentumin e liberalizimit të vizave kur ishte në një pako me Gjeorgjinë dhe Moldavinë.
Gjithashtu, ligjvënësja opozitare përmendi kur deputetët e LVV-së patën hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, në kohën kur po diskutohej për demarkacionin me Malin e Zi
“Kemi humbur momentumin për shkak të protestave të dhunshme nga Kurti, kemi pasur gaz lotsjellës”, tha ajo teksa u shpreh se nuk mendoj që Qeveria Kurti ka merita për këtë proces.
“Në këto dy vite të kësaj qeverie nuk ka pasur progres për proceset integruese”, shtoi ai.
Krasniqi është pyetur edhe nëse mund të ketë kritere shtesë tanimë për Kosovën që qytetarët e saj të lëvizën lirshëm drejt zonës Schenge.
“Nuk e besoj që do të ketë kritere të tjera. Më në fund i erdhi fundi këtij procesi të tej-zgjatur që ka qenë i padrejtë për Kosovën. Kemi pasur probleme tjera, prandaj është zgjatur deri më sot”, tha ajo të martën në një intervistë për T7.