Krasniqi: U dëshmua se VV-ja dhe LDK-ja janë të interesuara vetëm për pushtet

Prishtinë | 04 Dhj 2019 | 16:42 | Nga Bashkim Bekolli

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi, thotë për EkonomiaOnline se LDK-ja dhe VV-ja po dëshmojnë se nuk janë të interesuar për asgjë tjetër, përveç se për pushtet.

Krasniqi megjithatë thotë se shpresojnë që këto dy parti nuk do ta dëmtojnë Kosovën, ashtu sic e dëmtuan sa ishin në opozitë.

“Tashmë është e qartë për të gjithë që VV dhe LDK nuk janë të interesuar për asgjë tjetër, përveç për të kapur sa më shumë pushtet. I harruan shpejt premtimet e programin dhe, të zhveshur nga çdo maske, po tregojnë sheshazi që nuk i japin pesë pare për votuesit e tyre, por vetëm për kolltukët e tyre të ardhshme. Ne shpresojmë se ata s’do ta dëmtojnë Kosovën edhe tash me këtë qasje, siç e kanë dëmtuar gjatë kohës kur ishin ne opozite”, thotë ai për EO.

Nënkryetari i PDK-së ka bërë të qartë se nuk do të jenë pjesë e asnjë diskutimi për qeverinë e ardhshme, duke mohuar zërat për një koalicion të mundshëm me VV-në.

“PDK e ka bërë të qartë që në natën e zgjedhjeve që ne do të jemi opozitë në këtë mandat dhe në asnjë mënyrë nuk do të bëhemi pjesë e çfarëdo diskutimi për qeverinë e ardhshme”, thotë ai.

Të ngjashme