Kreditë u rritën për 10%, depozitat për 7%

Prishtinë | 29 Tet 2017 | 12:11 | Nga

Bankat në Kosovë gjatë gjysmës së parë të vitit 2017 kanë shënuar rritje të kërkesave për kredi, krahasuar me po të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga Raporti i Bankës Qendrore në Kosovë deri në tremujorin e dytë të vitit 2017, sektori bankar thuhet të jetë karakterizuar me rritje të përshpejtuar të aktivitetit kreditues 10.0 për qind, kryesisht si rezultat i lehtësimit të kushteve të kreditimit nga ana e bankave dhe rritjes së kërkesës për kredi.

Për të mbuluar kërkesat për kredi, sipas këtij raporti, rritja e këtyre kërkesave vazhdon të financohet qëndrueshëm nga depozitat e mbledhura brenda ekonomisë së vendit, të cilat në këtë periudhë shënuan një rritje vjetore prej 7.2 për qind, krahasuar me tremujorin dytë të vitit të kaluar.

Krahas rritjes së kërkesave për kredi, është zvogëluar norma mesatare e interesit në kredi në 6.8 përqind, përderisa norma mesatare e interesit në depozita ka shënuar rritje të lehtë në 1.1 për qind.

Ndërkaq, norma e kredive joperformuese ka vazhduar të përcjellë trend rënës, duke zbritur në 3.9 përqind deri në qershor 2017, përderisa raporti flet për nivele të kënaqshme të treguesve të shëndetit financiar.

Raporti i Bankës Qendrore nxjerrë me rritje të aktivitetit edhe segmente tjera të sistemit financiar, si sektori pensional, sektori i sigurimeve dhe sektori mikrofinanciar.

Për sa i përket performancës, është sektori pensional që realizoi kthim nga investimet dukshëm më të lartë se periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Po ashtu, edhe sektori mikrofinanciar dhe sektori i sigurimeve u karakterizuan me rritje të profitit në qershor 2017 kundrejt periudhës së njëjtë të vitit paraprak.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme