Sulmuesi kosovar do t’i ketë edhe disa raste për t’u dëshmuar, në të kundërtën Lazio mund ta shesë atë
Eksperienca e Vedat Muriqit në Lazio deri tash ka qenë zhgënjyese.
Sulmuesi kosovar nuk ka arritur të ambientohet në klubin italian dhe në Serie A po ashtu.
Deri tash, 27 vjeçari i ka realizuar vetëm dy gola, që të dy kundër Atalantas, në Kupë dhe në kampionat.
Pra, ky është një bilanc negativ duke e pasur parasysh e “Biancocelesti” kanë pritur shumë më tepër nga ai.
Përkundër mungesës së golave, trajneri Simone Inzaghi vazhdon të besojë tek përfaqësuesi kosovar.
Mirëpo, duket se ish-futbollisti i Fenerbahçes i ka kreditet e fundit në fanellën e kaltër.
Sipas mediave italiane, prizrenasit do t’i jepen edhe disa raste para përfundimit të sezonit.
Dhe, nëse nuk e tregon veten, mund të largohet nga kryeqyteti italian.
Të dielën që shkoi, Muriqi luajti 22 minuta në Verona.
Ndërsa, ndaj Beneventos këtë fundjavë ai mund ta ketë një tjetër mundësi.
Immobile e Correa janë favoritë, por trajneri Inzaghi mund t’i pushojë ata duke e pasur parasysh që Lazio do të luajë më pas me Napolin e Milanin.
Në këtë fazë finale të sezonit, Muriqi duhet ta shfrytëzojë çdo mundësi që i vjen.
Shpërthimi i tij duhet të vijë që nga ndeshja me Beneventon.