Zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, tha se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara nuk mund të përkeqësohen më, por sugjeroi se edhe perspektivat për përmirësimin e tyre janë të vështira.
Dmitry Peskov i bëri këto komente pas zgjedhjeve për Kongres në SHBA, ku Partia Demokrate fitoi shumicën e ulëseve në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa Partia Republikane e presidentit Donald Trump ruajti shumicën në Senat.
“Gjithçka është e vështirë”, tha Peskov pasi u pyet nga gazetarët nëse rezultati i zgjedhjeve të 6 nëntorit në ShBA mund t’i komplikojë marrëdhëniet e Moskës me Uashingtonin.
Peskov nuk parashikoi se marrëdhëniet do të përkeqësohen më tej, por tha se “mund të sugjerohet me një siguri të lartë se perspektivat rozë për normalizimin e marrëdhënieve ruso-amerikane, nuk janë të dukshme në horizont”.
“Ka shumë çështje që kërkojnë komunikim ruso-amerikan – çështjet e stabilitetit strategjik dhe kontrollit të armëve. Këto çështje nuk do të zhduken vetvetiu, pa komunikim”, tha Peskov.
Marrëdhëniet SHBA-Rusi janë tensionuar prejse Moska ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014. Uashingtoni po ashtu dyshon se hakerët rusë kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në ShBA më 2016.