Kremlini kritikoi vendimin e Twitter-it për të ndaluar reklamat e llogarive të mediave shtetërore ruse RT dhe Sputinik, duke thënë se ky veprim është nxitur nga “paragjykime të thella” kundër burimeve të lajmeve në Rusi.
“Fillimisht, na vjen keq që Twitter po bëhet viktimë e paragjykimeve të thella ndaj mediave tona”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Po ashtu na vjen keq që kompania po krijon precedent për trajtimin e pabarabartë të klientëve të saj, që padyshim se mund të krijojë ankth dhe frikë te përdoruesit e tjerë të rrjetit social”, shtoi Peskov.
Të enjten, Twitter ka thënë se ka ndaluar reklamat e RT-së dhe Sputnik-ut, duke u thirrur në pohimet e agjencive amerikane të inteligjencës se këto media kanë qenë pjesë e përpjekjeve të presidentit rus, Vladimir Putin, për të ndikuar zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016.
“Ndërhyrja në zgjedhje nuk është diçka që e duam ne në Twitter”, tha rrjeti me seli në San Francisko.