Në Prishtinë numër i madh i qytetarëve, krerëve të institucioneve kanë bërë homazhe në nderim të profesorit të ndjerë, Shyqri Nimani, raporton Ekonomia Online. Arkivoli i tij ka qëndruar në Pallatin e Rinisë, ku janë zhvilluar edhe homazhet.
Në nderim të tij, homazhe kanë bërë kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, kryetari i Prishtinës Përparim Rama etj.
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdigjiku me bashkëpartiakë ka bërë homazhe pranë arkivolit të profesorit të ndjerë.
Shyqri Nimani njihet si pionier dhe si njëri prej themeluesve të departamentit të dizajnit grafik në Akademinë e Arteve në Prishtinë, ku edhe punoi si profesor deri në pensionimin e tij.
Për shkak të profesionalizmit të tij dhe karrierës së gjatë, atij iu besua që ta shkruajë me kaligrafi deklaratën e Pavarësisë së Kosovës e cila u shpall më 17 shkurt në Kuvendin e Kosovës.
Ai ishte edhe muzikant, artist vizual dhe njohës shumë i mirë i historisë dhe trashëgimisë kulturore.