Krerët shtetërorë falënderojnë Delawien për kontributin, ai ka një porosi para largimit

Prishtinë | 18 Sht 2018 | 18:49 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Krerët e institucioneve të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli e kryeministri Ramush Haradinaj, kanë shprehur mirënjohjen për kontributin e ambasadorit Greg Delawie në fuqizimin e brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës.

E në pritjen lamtumirëse organizuar nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, Delawie ka pasur një porosi për politikanët kosovarë: “T’i mbajnë duart jashtë proceseve gjyqësore”. Ai ka thënë se pengesat në këto fusha mund të jenë problem i madh për të ardhmen e Kosovës.

Presidenti Thaçi falënderoi ambasadorin Delawie për punën e tij  gjatë qëndrimit në Kosovë.

“Jam shumë mirënjohës për ju ambasador që na qëndruat afër çdoherë, jam mirënjohës për ShBA-në që Kosova të fuqizohet në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Ky fuqizim është meritë e jona e përbashkët”.

Thaçi vlerësoi se sfida më e vështirë e Kosovës është mbetet anëtarësimi në BE dhe normalizimi i raporteve me Serbinë. “Neve na mbetet që edhe më tutje të anëtarësohemi në NATO dhe BE. Është mirë që tani kemi themelimin e forcave të armatosura në kuvend. Neve na mbetet sfida më e gjatë dhe e vështirë anëtarësimi në BE, gjithashtu edhe normalizimi i raporteve me fqinjët edhe me Serbinë”.

Kryeparlamentari Kadri Veseli tha se përkrahja e ambasadorit Delawie ka ndihmuar Kosovën në proceset e saj të vështira.

“Pak kam parë njeri i cili nga natyra është aq i qetë dhe aq i vendosur. Në tri vitet që kam kaluar nuk kanë qenë të lehta, mirëpo po të mos ishte ky ambasador me këshillat dhe përkrahjen e tij, Kosova nuk do të ishte siç është. Unë e falënderoj ambasadorin, ka bërë një punë të jashtëzakonshme. E ka thelluar edhe më shumë bashkëpunimin me ShBA-në. Përmes ShBA-së e shohim lirinë dhe demokracinë”.

Haradinaj: Dashuria për ShBA-në është speciale

“Jemi unikë dhe të veçantë sa i përket dashurisë sonë për ShBA-në dhe për këtë kemi arsye të fuqishme. Dhe ne duam që këtë dashuri për ShBA-në ta shndërrojmë në marrëdhënie speciale”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë lamtumirëse, të organizuar në nder të ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, në përfundim të mandatit të tij në Kosovë.

Para të pranishmëve të shumtë, Kryeministri Haradinaj duke shprehur mirënjohje të thellë për shërbimin e ambasadorit amerikan në Kosovë, tha se Delawie, është arsyeja e bashkimit të sotëm në këtë ceremoni lamtumirëse.

“Pashë edhe shumë kolegë të komunitetit serb, deputetë dhe kryetarë të komunave. Ambasador, ju jeni arsyeja e bashkimit tonë sonte në nderim tuajin dhe të shërbimit tuaj në vendin tonë. Ajo çfarë dua të them, është se, neve na mbetet edhe diçka për të arritur. Dhe ajo është pozita e privilegjuar e Kosovës krahas ShBA-së. Është një shtet në botë, dhe besoj që jemi unik në dashurinë për ShBA-në dhe për këtë kemi arsye të fuqishme” tha Kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritje dhe u shpreh tejet i emocionuar që tashmë po kthehet në shtëpinë e tij, por në të njëjtën kohë edhe i mërzitur që po largohet nga Kosova.

Në ceremoninë lamtumirëse për ambasadorin e SHBA-së Greg Delawie, folën edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Të pranishëm në këtë pritje lamtumirëse për ambasadorin Delawie, të organizuar nga Kryeministri Haradinaj ishin edhe anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë, kryetar të Komunave, ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të institucioneve fetare, të shoqërisë civile dhe të mediave.

Porosia e ambasadorit Delawie

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, tha se Kosova ka shënuar progres gjatë këtyre viteve.

“Duhet të them se jam i lumtur që jam duke shkuar në shtëpi, por i mërzitur që po e lë Kosovën. Në tri vitet e kaluara kam qenë dëshmitar i shumë gjërave pozitive.  Ekonomia po ecën mbarë në Kosovë. Kosova duhet të pranojë ata që janë në cep të suksesit të vendit janë gratë dhe të rinjtë dhe komunitetet. Kosova nuk duhet të presë që të përballet me këto sfida. Është ditë e mërzitshme për mua që po shkoj, mirëpo do të kthehem në Kosovë sërish të ju shoh duke ecur përpara”.

Por, ai ka pasur një porosi. “Politikanët të rrinë jashtë proceseve gjyqësore. Pengesat në këto fusha mund të jenë problem i madh për të ardhmen e Kosovës.Miratimi në mars për shënimin e kufirit ishte fitore e rëndësishme për Kosovën dhe zoti kryeministër, edhe pse nuk pajtohemi për çdo gjë e di se kemi punuar shumë për këtë çështje së vështirë”, tha Delawie, raporton Ekonomia Online.

Greg Delawie ka ushtruar detyrën e ambasadorit të ShBA-së në Kosovë që nga viti 2015, kur ishte emëruar nga ish-presidenti amerikan Barack Obama. Ndërkaq, në muajin korrik të këtij viti, presidenti aktual i ShBA-së, Donald Trump, ka emëruar diplomatin Philip S.Kosnnet nga Virixhinia si ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, sipas Shtëpisë së Bardhë.

 

Të ngjashme