Kreu i SPAK-ut po qëndron në Prishtinë, takohet me Kryeprokurorin e Speciales

Prishtinë | 24 Dhj 2024 | 11:19 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore.

Kjo u bë gjatë një takimi, mes kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj me një delegacion nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë, kryesuar nga kreu i kësaj prokurorie, Altin Dumani.

Gjatë këtij takimi, dy kryeprokurorët diskutuan për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimit dhe efikasitetit në luftën kundër krimit dhe forcimin e sundimit të ligjit në të dyja shtetet.

Po ashtu Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë (SPAK), Altin Dumani, nënshkruan edhe marrëveshje bashkëpunimi për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore, të përbërë nga prokurorë të të dyja prokurorive përkatëse, bëhet e ditur në njoftim.

Sipas njoftimi, qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, në mes të dy krerëve të institucioneve të ndjekjes parashikon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të të dyja prokurorive në fusha të rëndësishme të luftës kundër krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve.

Kryeprokurori Isufaj dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Dumani, nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e kanë vlerësuar të rëndësishme, duke theksuar se ky është një hap drejt përmirësimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në dy shtetet përkatëse, si dhe drejt ndërtimit të një partneriteti të fortë në mes të dy institucioneve të drejtësisë.

Të ngjashme