Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti. Për asnjë moment të vetëm, prej mëngjesit të asaj dite, krismat e armëve nuk kanë pushuar në territorin ukrainas. Ai është bërë poligon qitje mbi gjithçka, qe 65 ditë. Mbi civilë, ushtarë e ndërtesa.
Në dy muajt e pushtimit, 2,435 civilë ukrainas u vranë dhe 2,946 civilë u plagosën, sipas Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, numri i vërtetë i viktimave pritet të jetë shumë më i lartë pasi të dhënat nga territoret e pushtuara dhe zonat me armiqësi të rënda nuk janë të disponueshme për momentin. Autoritetet lokale në Mariupol kanë vlerësuar se vetëm në këtë qytet mund të jenë 22,000 mijë civilë të vrarë.
Sa i përket nivelit ushtarak, ka të vrarë nga të dyja anët. Humbjet ruse janë të mëdha. Raportohet për mbi 22 mijë ushtarakë rusë të vrarë. Ukraina ka demoluar 381 artileri ruse, 167 aeroplanë, 147 helikopterë, 790 tanke, 8 anije luftarake, 130 kundërajrorë, 2041 automjete të blinduara, 76 cisterna të naftës dhe 1487 vetura. Në anën tjetër, Ukraina nuk ka publikuar ende humbjet e personelit të saj ushtarak. Megjithatë, Presidenti Volodymyr Zelensky tha se 2,500-3,000 trupa ukrainase ishin vrarë dhe deri në 10,000 të tjerë të plagosur.
Sulmet e njëpasnjëshme nga toka, deti dhe ajri me diku mbi 150 mijë trupa ushtarake të Rusisë mbi Ukrainën i ka dënuar bota perëndimore.
Superfuqitë, të udhëhequra nga Amerika, kanë shkuar përtej. Kanë zotuar miliarda euro ndihma për Ukrainën, qoftë për artikuj ushqimorë, qoftë për armatim. Amerika ka planifikuar 7.6 miliardë euro ndihma, Polonia 963 milionë, Britania 721 milionë, Gjermania 492 milionë €, Franca 416 milionë , Italia 260 milionë, Suedia 224 milionë € dhe Estonia 220 milionë euro.
Këto vende, në anën tjetër, krejt ndryshe kanë vepruar me Rusinë agresore. Ia kanë bërë bllok në shumë fusha. Ato i kanë vendosur plot 7161 sanksione vetëm që nga 22 shkurti i 2022-ës nga 9 mijë e 915 kufizime në total, duke e bërë kështu Rusinë e Vladimir Putinit vendin më të izoluar në botë.
Amerika e ka liruar dorën më të madhe, me 1858 masa ndëshkimore të marra ndaj Rusisë. Të ashpra janë treguar edhe Britania e Zvicra, me 1360 respektivisht 1359 sanksione. Katër shifror, që kalon 1 mijëshin, është edhe numri i kufizimeve të BE-së, Kanadës dhe Australisë. 761 sanksione ia ka qit edhe Japonia.
BE-ja vendosi sanksione kundër Rusisë në fusha të ndryshme si financa, energji, transport, kontroll dhe financim të eksporteve dhe politika e vizave. ,Në kuadër të sanksioneve, 7 banka ruse u hoqën nga SWIFT dhe iu bllokuan rezervat e Bankës Qendrore të Rusisë në vendet perëndimore. Qindra individë dhe dhjetëra institucione ruse, përfshirë presidentin rus, Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm, Sergej Lavrov, si dhe oligarkë të njohur, gazetarë, zyrtarë të qeverisë dhe ushtrisë, u shtuan në listën e sanksioneve.
Rreshtim e metodë të njëjtë sanksionesh ka ndjekur edhe Kosova e vogël.
Në njëren prej mbledhjen të kabinetit qeveritar, ekzekutivi kosovar miratoi sanksione ekonomike e financiare karshi shtetit rus.
Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve të bankave, institucioneve financiare dhe individëve, ndalimi i qasjes së tyre në tregje financiare dhe masa të tjera restriktive që shenjtërojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe akterët politikë të përfshirë në marrjen e vendimit për invadimin rus në Ukrainë. Individët, gjithashtu, do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit apo transitit në vendet që i zbatojnë këto sanksione.
Bile Kuvendi i Kosovës më 3 mars me 94 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës e ka miratuar rezolutën, me të cilën e dënon agresionin ushtarak dhe invazionin e Federates Ruse mbi Ukrainën dhe popullin e saj.
E Serbia ani se e ka dënuar pushtimin rus, nuk ka marrë asnjë sanksion kundër Rusisë.
Muhaxhiri: Kosova s’e shfrytëzoi animin e Serbisë kah Rusia
Këtë situatë nuk e ka shfrytëzuar mirë Kosova në arenën ndërkombëtare, vlerëson analisti politik Artan Muhaxhiri.
“Lufta në Ukrainë ka qenë një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën që të fuqizohet në skenën ndërkombëtare sepse nëse Kosova e ka aleatin kryesor Shtetet e Bashkuara të Amerikës , Serbia aletin kryesor e ka Rusinë edhe Putinin kështu që me dëmtimin e jashtëzakonshëm të imazhit të Putinit, kjo natyrisht që ka ndikuar edhe në zvogëlimin e fuqisë politike të Vuçiqit dhe Serbisë në politikat ndërkombëtare”, potencoi Muhaxhiri për “Front Online”.
Ky tregon se çka është dashur të bëjnë institucionet vendore.
“Për fat të keq Qeveria e Kosovës nuk ka qenë aq vigjilente që ta shfrytëzojë këtë momentum të jashtëzakonshëm sepse është dashur që të punojë pakrahasimisht më shumë me aleatët tonë, mirëpo edhe të lobojë edhe në Bruksel edhe në Berlin, edhe në Paris, edhe në Uashington pra që të përforcohet imazhi ndërkombëtar i Kosovës si një aktere tejet konstruktive , ndërsa në të njëjtën kohë të fuqizohet edhe imazhi i Serbisë si një aktere destruktive “, theksoi Muhaxhiri për “Front Online”.
Bosnja dhe Kosova, shënjestra të radhës së Rusisë
Shpërthimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt ngjalli frikë 1107 km më larg, në Kosovë.
Veriu i kësaj të fundit u pa si zonë potenciale konflikti, me trazirat që mund të nxiteshin nga serbët lokalë të atjeshëm.
65 ditë pas, në pjesën veriore, u shënuan disa incidente. Plot 6 herë deri tash, persona të panjohur shtien mbi policët e Kosovës. Fatmirësisht nuk pati pasoja në njerëz.
Këto sulme, eksperti i sigurisë Avni Islami i lidh me tendencat ruse për të destabilizuar Kosovën, rrjedhimisht Ballkanin.
Përmend edhe Bosnjën, si vend ku mund të ketë qëllime për trazimin e ujërave.
“Kemi vërejtë që kohët e fundit kemi disa incidente ku janë të orientuara nga eksponentë të cilët deri më tani nuk dihet se kush janë, por që dihet se janë duke vepruar në veriun e Kosovës ku cak kanë qenë institucionet e sigurisë së Kosovës dhe e them këtë për shkak se përqendrimi maksimal aq i madh në Ukrainë nga vendet e Perëndimit dikujt i konvenon të ngrit edhe një vatër artificiale që do të kishte tendenca në destablizimin e situatës, pra dihet mirëfilli që Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë dy pika neurologjike t cilat mund të destabilizohen”, u shpreh Islami.
Lufta nuk u zhvillua vetëm me armë.
Rusia e Ukraina u matën edhe në fushën e informacionit.
Qeveria ruse intensifikoi një fushatë dezinformimi që synonte të heshtte kritikat publike. Media shtetërore ruse promovoi video të fabrikuara – shumë amatore në cilësi – që supozohej se tregonin forcat ukrainase duke sulmuar rusët në Donbas; provat treguan se sulmet, shpërthimet dhe evakuimet e pretenduara u organizuan nga Rusia. Agjencia shtetërore “Roskomnadzor”, e cila është agjencia ekzekutive federale ruse përgjegjëse për monitorimin, kontrollin dhe censurimin e mediave ruse, urdhëroi mediat të përdorin vetëm informacione nga burime shtetërore ruse dhe ta përshkruanin luftën si “operacion special ushtarak”. Historitë e reja që përshkruanin një “sulm”, “pushtim” ose “shpallje lufte” u hoqën.
Për shkak të dezinformimeve të kësaj natyre, 1500 media propaganduese ruse janë bllokuar në Ukrainë.
Bashkimi Evropian ka vendosur t’i ndalojë mediat ruse në bllokun evropian, siç janë Russia Today dhe Sputnik, shkaku se i konsideronte si pjesë e “makinerisë mediatike të Kremlinit”.
Duarkryq nuk qëndroi as Kosova në fushën e medieve.
Komisioni i Pavarur i Mediave ndërpreu transmetimin e katër kanaleve televizive ruse nën arsyetimin për ndalim të propagandës që e ka për qëllim rrënimin e rendit demokratik botëror. Megjithatë, kosovarët vazhdojnë të kenë qasje në portalet që përhapin propagandë të këtillë. Në këtë institucion dyshojnë se ligjërisht bllokimi mund të ndodhë. Kurse në Këshillin e Mediave të Shkruara nuk merren me portalet që nuk janë të regjistruara në Kosovë.
Zeneli: Lufta në Ukrainë, rriti dezinformatat e Rusisë në Kosovë
Profesori universitar në fushën e medias, Alban Zeneli thotë se raporti “Lufta në Ukrainë: Propaganda dhe Dezinformimi”, i publikuar nga platforma për kontroll të fakteve hibrid.info, ka gjetur të dhëna interesante.
“Me fillimin e pushtimit në Ukrainë ka fillu me u rrit edhe numri i dezinformatave dhe kjo tregon që është një mjet hibrid që Rusia e ka zhvilluar në Ukrainë. Rrjetet sociale po janë rrjetet më të përdorura tek rasti i Kosovës psh,. në Kosovë Facebook-u dhe instagrami përdoren më së shumti, ndërkohë që Fecbook, është vendi ku më së shumti janë shpërnda këto dezinfomarata edhe në rastin e Kosovës edhe në rastin e vende të tjera”, theksoi Zeneli.
Punë në eliminimin e dezinformatave, sipas tij, do të kryente goxha shumë futja e edukimit medial si lëndë obligative nëpër shkolla.
“Ne definitivisht duhet me mendu që një lëndë e tillë duhet të jetë obligative. Është paraparë që disa vite në plan-programet e shkollimit para universitar, por megjithatë një gjë të tillë nuk e kanë bë as qeveritë e kaluara e as kjo, e tash kur po shohim se sa e rëndësishme është në situatë lufte që qytetarët mos me rënë pre e dezinformimit besoj që është ende më e qartë për vendimmarrësit dhe politikbërësit që kjo lëndë duhet gjithqysh me hy në plan-program”, vlerësoi Zeneli për “Front Online”.
Përshkallëzimi (21–23 shkurt 2022), pak para se të kris lufta
Më 21 shkurt, Putin njoftoi se qeveria ruse do të njihte republikat popullore Donetsk dhe Luhansk.
Po atë mbrëmje, Putini urdhëroi që trupat ruse të vendoseshin në Donbas, në atë që Rusia e quajti “mision paqeruajtës”.
Ndërhyrja e 21 shkurtit në Donbas u dënua nga disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së; askush nuk shprehu mbështetje.
Më 22 shkurt, videoja e xhiruar herët në mëngjes tregonte forcat e armatosura ruse dhe tanket që lëviznin në rajonin e Donbasit. Këshilli i Federatës autorizoi unanimisht përdorimin e forcës ushtarake jashtë Rusisë.
Si përgjigje, Zelenskyy urdhëroi rekrutimin e rezervistëve të ushtrisë; të nesërmen, parlamenti i Ukrainës shpalli një gjendje të jashtëzakonshme 30-ditore mbarëkombëtare dhe urdhëroi mobilizimin e të gjithë rezervistëve. Rusia filloi të evakuonte ambasadën e saj në Kiev. Faqet e internetit të parlamentit dhe qeverisë së Ukrainës, së bashku me faqet e internetit bankare, u goditën nga sulmet DDoS (është një sulm kibernetik në të cilin autori kërkon të bëjë një makinë ose burim rrjeti të padisponueshëm për përdoruesit e tij të synuar duke ndërprerë përkohësisht ose pafundësisht shërbimet), që u atribuohen gjerësisht hakerëve të mbështetur nga Rusia.
Natën e 23 shkurtit, Zelenskyy mbajti një fjalim në rusisht në të cilin ai u bëri thirrje qytetarëve të Rusisë që të parandalojnë luftën. Ai gjithashtu hodhi poshtë pretendimet e Rusisë për praninë e neo-nazistëve në qeverinë ukrainase dhe tha se ai nuk kishte ndërmend të sulmonte rajonin e Donbasit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha më 23 shkurt se liderët separatistë në Donetsk dhe Luhansk i kishin dërguar një letër Putinit duke thënë se granatimet ukrainase kishin shkaktuar vdekje civile dhe duke bërë thirrje për mbështetje ushtarake nga Rusia. Si përgjigje, Ukraina kërkoi një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Gjysmë ore pas takimit urgjent, Putin njoftoi fillimin e “operacioneve ushtarake” në Ukrainë.
Si pasojë e pushtimit, deri tash 5.3 milionë ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre. Ata kanë migruar në vendet e afërta, Poloni, Hungari, Slloveni, Moldavi, Sllovakia. Madje disa edhe në Rusi dhe Bjellorusi, me njërën që ka kryer agresionin e tjetrën që e ka mbështetur.
Institucionet e Kosovës kanë shprehur gatishmërinë që të strehojnë deri në pesë mijë refugjatë nga Ukraina.
Koordinimi i veprimeve për një gjë të tillë i është kërkuar Qeverisë së Kosovës nga Kuvendi, nëpërmjet një rezolute të miratuar të enjten.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë që krahas gatishmërisë për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas, t’i koordinojë të gjitha veprimet e mëtutjeshme me partnerët ndërkombëtarë, si dhe të shprehë gatishmërinë për strehimin eventual të deri pesë mijë refugjatëve nga Ukraina”, thuhet në pikën e katërt të rezolutës për të cilën u pajtuan të gjitha grupet parlamentare, e që iu dha drita e gjelbër në seancën e Kuvendit të Kosovës, të mbajtur në mbështetje të Ukrainës.
Deri tash, Ukraina ia ka dalë ta mbajë në kontroll Kievin, derisa Rusia po kontrollon Kharkivin, Mariupolin dhe Khersonin.