Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gazmend Syla ka vazhduar t’i publikojë dëshmitë e radhës që faktojnë krimet në Kosovë.
Syla ka thënë se në dokumentet e paraqitura sot, dëshmohet se ushtria serbe në fund të marsit 1999 në Zhegër të Gjilanit ka vrarë 6 persona të pa armatosur.
“Në dokumentet që kam paraqitur sot, dëshmohet se ushtria me të cilën krenohet z.Vuçiq në fund të marsit 1999, në Zhegër të Gjilanit vrau gjashtë persona të pa armatosur vetëm pse ishin shqiptarë!”, ka shkruar Syla në llogarinë e tij në Facebook.
Syla ka përmendur me emër të vrarët shqiptarë nga ushtarë të ardhur nga pjesë të ndryshme të Serbisë.
“Ukshin Ukshini me bashkëshorten Xhevahiren, Qazim Haziri me bashkëshorten Qamilen, Milazim Idrizi dhe Shyqeri Tahiri, u vranë nga ushtarët e ardhur nga pjesë të ndryshme të Serbisë, në funksion të gjenocidit që po ndodhte kundër shqiptarëve në Kosovë”, ka shtuar Syla.
Sipas tij, për këto krime është dënuar vetëm një serb në një gjykatë në Mal të Zi, ndërkohë që dosja tregon për më shumë pjesëmarrës.
“Për tërë këtë krim, është dënuar vetëm njëfarë Vllado Zmajeviq, katërmbëdhjetë vjet burg në një gjykatë në Mal të Zi. Ndërkohë dosja tregon për më shumë pjesëmarrës në këtë krim makabër”, është shprehur Syla.