Krimi pa aktakuzë

Prishtinë | 03 Shk 2026 | 16:08 | Nga Arben Fetoshi

KRIMI PA AKTAKUZË

(“Nata e tmerrit” në Mitrovicë – operacioni serb për spastrimin etnik të veriut)

Sot 26 vjet, një sulm i organizuar, i maskuar me “huliganizëm”, terrorizoi shqiptarët në veri të Mitrovicës, brenda shtëpive të tyre, me bomba, snajperë, automatikë e armë të tjera, nën “vëzhgimin” e Policisë së UNMIK-ut dhe trupave franceze të KFOR-it.

Ajo që dëshmitarët e përshkruajnë si “nata e tmerrit” mes 3 dhe 4 shkurtit 2000, ishte një operacion “qytetar” i përndjekjes etnike, përmes dhunës dhe shkatërrimit, duke lënë 10 të vrarë, në mesin e të cilëve gra, fëmijë e pleq, 25 të plagosur dhe 93 të keqtrajtuar fizikisht.

Edhe një masakër ndaj shqiptarëve, për të arritur “rezultatin” e planifikuar: dëbimin e tyre nga veriu, nën çirrjen e kriminelëve “asnjë shqiptar në veri”.

Pas dështimit të operacionit “Patkoi” për spastrimin etnik të Kosovës nga ndërhyrja e NATO-s dhe kapitullimi i Serbisë më 9 qershor 1999 në Kumanovë, makineria e Millosheviqit “urdhëroi” operacionin e spastrimit etnik të veriut, si hakmarrje dhe si strategji e re politike.

Sot, 26 vjet më vonë, “nata e tmerrit” ende është krimi i dëshmuar që pret një aktakuzë.

Skenari për “sekjuritizimin” e veriut

Më 3 dhe 4 shkurt 2000 në veri të Mitrovicës, “Rojet e Urës” sulmuan, shkatërruan dhe dogjën shtëpitë shqiptare, duke lënë të vrarë, të plagosur e të dhunuar fizikisht, si metodë e planifikuar terrori për t’i detyruar të largohen.

Dymbëdhjetë mijë shqiptarë që brenda natës kaluan në jug të qytetit, në praninë e forcave ndërkombëtare, të cilat dukej se po e “toleronin” skenarin e “sekjuritizimit” të veriut.

Një skenar që do ta konvertonte veriun në zonë të veçantë sigurie dhe do të përcaktonte rrjedhën e mëtutjeshme të betejës për Kosovën: në njërën anë, shqiptarët dhe komunitetet e tjera pakicë që synonin “shtetin për të gjithë” në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare; në anën tjetër, Serbia dhe aleatët e saj, që minonin përpjekjet euro-atlantike, duke përdorur metoda hibride për serbizimin e veriut dhe për ndarjen si qëllim politik.

Qasja e KFOR-it për ruajtjen e stabilitetit, shmangien e konfrontimit dhe integrimin gradual të serbëve, u shfrytëzua si hapësirë për konsolidim, armatosje dhe “institucionalizim” të strukturave ilegale të Serbisë.

Ajo e keqpërdori këtë qasje, duke e interpretuar si “leje” për avancimin e projektit ekspansionist.

“Ura e Ibrit”, e shndërruar në simbol të ndarjes, si dhe të gjitha zhvillimet e mëvonshme, dëshmojnë se “nata e tmerrit” ishte operacioni i parë drejt strukturave hibride për sabotimin e Kosovës, që do të kulmonte pas shumë vitesh me inkursionin e dështuar në Banjskë të Zveçanit (2023) dhe sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit (2024).

Nga perspektiva e sigurisë, të gjitha veprimet e këtyre strukturave në veri, duke përfshirë protestat e dhunshme, sulmet ndaj ndërkombëtarëve, bllokimin e rrugëve, fabrikimin e gënjeshtrave, narrativat nxitëse, instrumentalizimin e qytetarëve serbë dhe operacionet e ndikimit, kanë qenë mjete të strategjisë serbe së “viktimizimit”, me qëllim të presionit ndaj Kosovës dhe minimit të saj si “shtet i të gjithë qytetarëve”.

Drejtësia në pellgun e të panjohurës

Si në “Procesin” e Kafkës, masakra e Mitrovicës është krimi që ekziston në qindra pamje, dëshmitarë të mbijetuar dhe hetime, por ende nuk ka asnjë të akuzuar.

Më 11 gusht 2014, Prokurori Ndërkombëtar pati ngritur një aktakuzë ndaj Oliver Ivanoviqit, Aleksandër Llazoviqit, Dragolub Delibashiqit dhe Ilija e Nebojsha Vujaçiqit, për krime lufte kundër popullatës civile, në prill 1999 dhe shkurt 2000, por pas shqyrtimit trembëdhjetë mujor, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Roxana Comsa, e shpalli fajtor vetëm Ivanoviqin për akuzën e parë (21 janar 2026), por e liroi atë dhe të tjerët për akuzën e dytë.

Në tetor 2016, Gjykata e Apelit e ktheu këtë rast në rigjykim, mirëpo më 16 janar 2018 Ivanoviq u vra para zyrës së tij në Mitrovicë të Veriut.

Pra, ky ishte procesi i vetëm që ka përfshirë krimet e 3 dhe 4 shkurtit 2000, por jo se i ka gjetur përgjegjësit.

Në përkujtim të viktimave të Mitrovicës me rastin e 25 vjetorit, Kryeministri Kurti njoftoi se i kishte dërguar një letër zyrtare Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke kërkuar një hetim të plotë e gjithëpërfshirës për identifikimin dhe ndjekjen e përgjegjësve.

Përgjigja, asgjë.

Përkujtimet dhe thirrjet për drejtësi, vazhdojnë të mbyten në pellgun e të panjohurës për ngjarjet që përcaktuan rrjedhën e betejës së re për Kosovën.

Prandaj, mesazhi i “natës së tmerrit” në Mitrovicë ende kërcënon, ende s’e ka marrë përgjigjen e duhur.

Jo, derisa autorët janë të pandëshkuar.

Jo, derisa Serbia ta kuptojë se “Maja e Madhe” është Kosovë.

Të ngjashme