Krishtlindja është festa më e madhe dhe më e gëzueshme e krishterimit në botë. E tillë duhet të jetë, pavarësisht nëse festohet sipas kalendarit katolik apo atij ortodoks. Në thelb, pikërisht në këtë ditë përcillen urime nga udhëheqës fetarë dhe shtetërorë me mesazhe paqeje, dashurie dhe faljeje.
Megjithatë, në Serbi kjo festë nuk u shënua në frymën e traditës dhe vlerave të saj. Në vend që Krishtlindjen ta festonin në shtëpi, në rrethin familjar, krerët e shtetit serb, në kundërshtim me zakonet dhe traditën, zgjodhën ta kalojnë ditën më të madhe fetare në televizionin Informer – një medium i njohur për propagandë dhe gjuhë nxitëse. Kështu, Krishtlindja u shndërrua në një tubim publik, ku presidenti i shtetit dhe pothuajse e gjithë qeveria, të rrethuar nga figura të botës së krimit dhe ekstremizmit, organizuan një lloj ahengu çetnik, të shoqëruar me shfaqje primitivizmi dhe shovinizmi serb.
Pamjet ishin skandaloze. Presidenti Aleksandar Vuçiç, së bashku me zyrtarët më të lartë shtetërorë, dëgjonte këngë të interpretuara nga individë të dënuar për krime të rënda, përfshirë edhe një vrasje të kryer në vitin 1992 ndaj një vajze 18-vjeçare. Po ky person u shndërrua në argëtuesin kryesor të festës, duke kënduar repertorin më ekstrem të këngëve çetnike, në një studio televizive të kontrolluar nga regjimi.
E gjithë skena ngjante me një përmbysje groteske të vlerave: një “festë” e organizuar nga elita politike, ku ministrat, kryetarja e Kuvendit Ana Brnabić, Vojislav Šešelj, e më pas edhe vetë Vuçiç në shoqëri të Ivica Daçiçit, u shfaqën në një gjendje euforie kolektive, duke aktivizuar hapur makinerinë propagandistike të nacionalizmit të madh serb. Krishtlindja u shndërrua kështu në blasfemi politike.
Gjatë një transmetimi disa orësh, drejtpërdrejt, u promovua një program ultra-nacionalist, i mbushur me këngë çetnike dhe thirrje luftënxitëse. Në këtë “spektakël muzikor të Krishtlindjes” dominuan këngë me përmbajtje antishqiptare dhe antiboshnjake, ku akordet e urrejtjes dhe propaganda e luftës shërbenin për të promovuar pretendime serbo madhe, veçanërisht ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë.
Ky vulgaritet, ku festa më e madhe e krishtere u shndërrua në një karnaval politik të glorifikimit të krimit, me pjesëmarrjen e vetë majës së shtetit, përbën një akt të papranueshëm në çdo shoqëri demokratike.
Ajo që është e sigurt, është se manifestime të tilla nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat e Bashkimit Evropian. Thirrjet për një “botë serbe”, ringjallja e nostalgjisë çetnike dhe instrumentalizimi i festave fetare për propagandë nacionaliste nuk përputhen aspak me integrimet evropiane dhe as me normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët.