Java kur pritet të caktohet seanca konstituive e Kuvendit, koalicioni fitues do t’i shkojë në takim presidentit Thaçi, në mungesë të marrëveshjes për koalicion paszgjedhor me partitë apo deputetët e subjekteve të tjera.
Thaçi ka ftuar në konsulta të hënën partitë politike që kanë marrë ulëse në Kuvend për të vendosur datën e seancës konstituive të Kuvendit të legjislaturës së gjashtë.
Por zyrtarisht nuk dihen pjesëmarrësit në takim. Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, i ka thënë gazetës se nuk kanë kërkuar konfirmime prej askujt.
“Pra, zyrtarisht s’kemi asgjë prej askujt. Ne i kemi ftuar të gjitha partitë që kanë fituar ulëse në Kuvend, sipas rezultateve të certifikuara prej KQZ-së”, ka thënë Arifi.
Mbështetur në deklaratat e tyre, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar vetëm partnerët e koalicionit- PDK dhe AAK. Por nuk do të marrin pjesë Lëvizja Vetëvendosje, LDK-ja e as Lista Serbe. (Koha Ditore)