Kriteret për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sipas ish-kryetares së Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, janë përmbushur me kohë, raporton Ekonomia Online.
Mendim të njëjtë ndan edhe ish-sekretari i Ministrisë së Integrimit Evropian, Demush Shasha. Ky i fundit ka thënë se qasja e qeverisë së re duhet që t’i bind shtetet anëtare me rezultate konkrete në fushën e sundimit të ligjit dhe në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Ish-kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Blerta Deliu-Kodra, i tha EO se kriteret e vendosura nga Bashkimi Evropian janë kryer me kohë, por që thotë se ka obligime shtesë në raport me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
“Tash sa i përket çështjes së vizave ne kemi përmbyllur të gjitha obligimet në raport me kriteret e vendosura me udhërrëfyesin për liberalizmin e vizave për natyrisht kemi obligime në raport me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, pastaj obligime të shumta me agjendën e reformave evropiane që si institucione jemi të obliguar që t’i ndërmarrim masat sepse do të ketë natyrisht evoluim të kritereve të obligimeve që ne i kemi në raport me udhërrëfyesin dhe në fund të vitit, natyrisht për neve është shumë me rëndësi që ne si shtet ti kemi kryer obligimet tona dhe përgjegjësitë tona të cilat i kemi marrë nga Bashkimi Evropian”, ka thënë ajo.
Vonesat në konstituimin e institucioneve, sipas Deliu-Kodrës, po shkojnë në dëm të agjendës integruese. Thotë se edhe hezitimet e shteteve anëtare po ndikojnë që Kosova nuk ka liberalizim të vizave.
“Prandaj po e them edhe vonesat e konstituimit të institucioneve do të shkojnë në dëm të agjendës integruese të Kosovës. Në anën tjetër kemi edhe një situatë politike ku ka shtete që për çështjet e tyre të brendshme ende shfaqin hezitimet e tyre në raport me vizat përkundër faktit që është e padrejtë e madhe, përkundër faktit që Kosova e ka përmbushur obligimin e saj në raport me lëvizjen e lirë, përkundër faktit që ne mbetemi vendi i vetëm do të thotë në Ballkanin Perëndimor që e kemi të pamundur të lëvizim lirshëm”.
“…por kjo besoj shumë që do ta thellojë edhe më tepër këtë krizë tonë në raport me agjendën tonë integruese për shkak se nuk do të kemi mundësi që të kemi takime me shtetet të cilat mbase mund të kenë hezitime për shkak se ekzekutivi nuk është funksional, për shkak se legjislativi ka mbajtur vetëm një takim konstituiv dhe ende nuk ka d.m.th asgjë në këtë drejtim dhe natyrisht çdo vonesë do të shkaktojë edhe zvarritje të procesit apo të agjendës tonë integruese jo vetëm në raport me Evropën, por edhe në raport me nismat regjionale në raport me Ballkanin Perëndimor dhe takimet tjera që Kosova duhet ta luaj rolin e saj si shtet”, ka thënë ajo.
Ndërkaq njohësi i çështjeve integruese, Demush Shasha thotë se hezitimi i shteteve anëtare, e sidomos Francës, mendojnë se Kosova nuk i ka përmbushur kriteret.
“Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, sikurse çdo çështje e procesit integrues jo vetëm për Kosovën por edhe për Ballkanit, kohëve të fundit është komplekse, përderisa në njërën anë, Komisioni Evropian ka konfirmuar që Kosova i ka përmbushur kriteret e liberalizimit të vizave, përderisa njëkohësisht Parlamenti Evropian në mënyrë ka konfirmuar poashtu që Kosova ka përmbushur kriteret, nga ana tjetër, kemi disa vende anëtare të BE-së të cilat nuk mendojnë ashtu dhe në këtë drejtim duhet përmendur Francën, pasiqë zyrtarisht ambasadorja franceze në Kosovë dhe Ministria e Jashtme e këtij shteti, kanë konfirmuar se nuk e ndajnë mendimin e njëjtë, nuk konsiderojnë se Kosova nuk i ka përmbushur kushtet”, ka thënë ai.
Shasha ka treguar edhe arsyet përse këto shtete anëtare nuk po pajtohen që Kosova ta ketë liberalizimin e vizave.
“E para është, çështja e sundimit të ligjit. Mungesa e rezultateve konkrete në fushën e sundimit të ligjit. E dyta është, mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Tani dialogu nuk është kusht konkret në kuadër të këtij procesi por parakusht i çdo procesi integrues të Kosovës, prandaj Kosova për momentin nuk mund të llogarit në liberalizim të vizave pa progres në këto dy fusha, siç ishin, dialogu për normalilzimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe progres në fushën e sundimit të ligjit”, ka thënë Shasha për Ekonomia Online.
Shasha ka thënë se qasja e Qeverisë së re duhet që t’i bind shtetet anëtare me rezultate konkrete në fushën e sundimit të ligjit dhe në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.