Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, që kryeministri Albin Kurti ia ka besuar negociatat me Serbinë, pas takimit që ka pasur të mërkurën me emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak, ka dhënë detaje për temat që kanë diskutuar.
Bislimi ka thënë se Kosova është e shqetësuar me draftet e propozuara apo planin e Miroslav Lacak për finalizmin e planit të sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes Themelore. Bislimi propozimin e Lajcak e ka cilësuar si të anshëm në favor të Serbisë dhe që s’garanton zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
Lidhur me këto kritika të kryengociatorit kosovar, Gazeta Express ka kontaktuar Brukselin zyrtar. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë për Gazetën Express se nuk i komentojnë komentet e zëvëndëskryeministrit Besnik Bislimi.
“Ne s‘komentojmë komentet“, ka thënë Stano.
Ai tutje ka treguar për temat që kanë diskutuar palët në takimin me Miroslav Lajcak dhe ka potencuar se BE-ja kërkon nga Kosova dhe Serbia që të përmbushin angazhimet në kuadër të dialogut të Brukselit dhe të përmbushin planin e BE për de-eskalim pa vonesa të tjera.
Gjithashtu ka kërkuar që palët të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm.
„Në takimin e të mërkurës, lehtësuesi i BE-së dhe palët diskutuan individualisht disa çështje aktuale në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, siç janë zbatimi i Marrëveshjes së re për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, energjia, zbatimi i Deklaratës për Personat e Pagjetur, de-përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme dhe çështjet tregtare. BE pret që të dyja palët të përmbushin angazhimet e tyre të Dialogut dhe kërkesat e BE-së për de-përshkallëzimin pa vonesa të mëtejshme, të angazhohen në mënyrë konstruktive në proces dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm“, ka thënë Peter Stano për Gazetën Express.
Të mërkurën në Bruksel ka pasur synime edhe për një takim trepalësh, megjithatë ka qenë qëndrimi i Miroslav Lajcak që një takim i tillë s’do të prodhonte ndonjë rezultat final sa i përket planit të sekuencimit dhe se për diçka të tillë është i nevojshëm një takim i nivelit të lartë Kurti-Vuçiq.
Shefi i Politikës së Jashtme të BE, Josep Borell, të enjten ka shkuar në pushimet e verës dhe me shumë gjasë një takim Kurti-Vuçiq mund të aranzhohet pas kthimit nga pushimi i verës, diku rreth fundit të muajit gusht.