Developing Together (DT), përkrahur nga Fondacioni Friedrich Ebert (FES), kanë prezantuar një hulumtim lidhur me banimin social në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Driton Tafallari nga DT tha se edhe pse është krijuar databazë për krijimin dhe monitorimin e banimit social prapë nuk është si duhet.
“Kemi ndërtuar shtëpi apo renovim të shtëpive, ky ka qenë aktiviteti kryesorë, mirëpo në tre vitet e fundit jemi zgjeruar dhe kemi filluar me e trajtu edhe problematikën e banimit social, kemi realizuar një projekt me BE-në, përmes të cilit kemi mbajtur një numër të punëtorive ku kemi tentuar që komunave së bashku me Ministrinë e Mjedisit me ua shpjegu termat kryesorë për banimin social, por ashtu një numri të madh të komunave u kemi ndihmuar ta përpilojmë programin tre vjeçar për banim, por e arritura më e madhe në atë kohë ka qenë krijimi i një databazë për krijimin dhe monitorimin e banimit social, kjo databazë është në funksion, por nuk është si duhet”, tha Tafallari.
Ai kritikoi komunat se banimin social nuk po e trajtojnë siç duhet. Tafallari tha se është e pamundur të funksionojë ligji për banim social derisa këtë punë nuk e marrin seriozisht komunat dhe niveli qendror.
“Problem tjetër është se komunat vazhdojnë me trajtu banimin social ad hoc. Familjet që aplikojnë nuk ka proces të mirëfilltë të aplikimit për familjet që kanë nevojë për banim social. Prishtina që ish dashur me qenë shembull për të tjerat nuk e ka të strukturuar si duhet. Ne mendojmë që është e pamundur me vazhdu me funksionu ligji për banim social pa e marrë seriozisht komunat këtë punë edhe niveli qendror me ngritë presionin në këtë drejtim, e dyta është linja buxhetore ose kodi buxhetorë, komunat nuk kanë linjë të veçantë për banim social”, tha ai, raporton EO.
Frank Hantke nga Fondacioni Friedrich Ebert (FES), tha se problemi kryesorë mbetet buxheti.
“Çështja kryesore është buxheti nëse nuk ka një buxhet nuk do të ketë një person adekuat dhe tjetra duhet ta thyejmë këtë qark të mbyllur. Ne nuk jemi kompani ndërtimore e as organizatë për çështje sociale, ne jemi organizatë për çështje politike me qëllim të ndihmës për demokraci. Ne jemi këtu pasi njerëzit nuk mund ta ndjejnë demokracinë pasi jeta e tyre nuk është si duhet, këtu po flitet për demokraci ndërsa po shihet çdo ditë si njerëzit largohen nga vendi, pra nëse njerëzit e ndjejnë që nuk ka rezultate në demokraci atëherë diçka nuk po shkon mirë, kjo është arsyeja që ne po mundemi të bashkëpunojmë në të gjitha fushat”, tha ai, raporton EO.
Burim Morina nga DT i cili bëri prezantimin, tha se problemet kryesore mbeten me verifikim e banorëve që kanë përfituar banim social.
“Kosova është mirë e mbuluar me legjislacion. Institucionet dhe komunat obligohen t’ u sigurojnë banim familjeve të pastrehë, e gjetura kryesore e këtij hulumtimi është ligji nuk funksionon pothuajse në asnjë nga segmentet e veta, 9 nga 10 komunat ka në pronësi banesa sociale, por pothuajse në shumë raste janë të banuara me njerëz pa kritere dhe kontrata pothuajse është shumë e vështirë që të verifikohen nëse i përmbushin kriteret. Industritë që merren me banim, nuk ka koordinim mes tyre, po ashtu nuk ka kod, linjë buxhetore për banim dhe kjo konsiderohet mangësi e madhe”, tha Morina.