Bordi Drejtues i Fondit të Kursimeve Pensionale ka raportuar në Komisionin për Buxhet dhe Financa lidhur me zhvillimet e fundit në tregjet financiare sa i përket mjeteve pensionale.
Kryesuesi i komisionit, Lumir Abdixhiku, tha se rënia që ka ndodhur prej 5.3% cilësohet si njëra ndër rëniet më të mëdha që kanë ndodhur që nga kriza e vitit 2008-të dhe 2009-të, raporton Ekonomia Online.
“Trusti ka 1.7 miliard euro në menaxhim dhe të investuara në tregje financiare, rënia e tyre prej 5.3% është rënia më e madhe që nga kriza e vitit 2008-9. Trusti dhe institucionet tona kanë obligim të përcjellin zhvillimet dhe të parashikojnë zhvillimet e ardhshme të marrin hapa që të parandalohen rëniet e tilla”, tha ai.
Kryesuesi i bordit të Trustit, Ruzhdi Morina, tha se Fondi ka pasur performancë negative, por sido që të jetë ai qytetarëve të Kosovës u tha që të ndihen të qetë pasi që nuk ka nevojë për shqetësim.
“Qytetarët duhet të jenë të qetë sepse situata është në kontroll nuk ka nevojë panik. Fondi bën investime të kursimeve pensionale në parimet e përcaktuara me ligj, sigurojmë kthim nga këto investime. Viti 2018 ka qenë vit interesant sa i përket parametrave ekonomik, gjithë parametrat kanë qenë të ngjashëm si në vitin 2017-të, investimet dhe tregjet financiare i ekspozohen rreziqeve. Investimet qe kanë ardh në 2018-ten janë investu në Kosovë dhe këtu ka ndiku që protokolli i investimeve të rritet 20%”, u shpreh ai.
Morina tha se Kosova gjendet më mirë se sa indekset e përgjithshme globale.
“Në vitin 2018-të kemi 70 milionë euro nga investimet, këto tregje dinë me performu ndryshe, rënia e madhe ka qenë në muajin dhjetor, ndërsa janari është muaji më i mirë në 3 dekada të fundit. Fondi ka pas performancë negative rreth 35 milionë euro. Performanca 380 milionë euro kthim nga investimet. Kemi shpaguar 31 milionë euro”, tha ai.
“Kriza e vitit 2008 e ka godit fondin me 29%, vlera e aksionit ka qenë 0.80 ka rënë dhe nga kjo për 10 vite është bërë 1.45 mbi 60% rritje. Jemi duka analizuar se si do të ndikoj Brexit në tregjet financiare, mund të mos ketë edhe ndikim të madh”, tha ai.
Drejtori i Trustit, Adrian Zalli, tha se në kthimin e investimeve ndikojnë edhe valutat që Kosova e ka euron në krahasim me disa vende të tjera.
“Kthimi i tyre bëhet në valutë të tyre që ka diferencë nga euro. Kroacia kur ka hy në Evropë është dashur me heq ligjin që e obligon me investu në fondet e BE-së, në atë rast kthimi i tyre ka rë shumë”, tha Zalli.
Zalli tha se Kosova tregjet financiare i ka më shumë në ShBA se sa në Evropë, prandaj nëse ndodh Brexiti nuk mendohet se mund të ndikojnë edhe aq tek ne.
“Nuk dihet se si do ndodh, e dimë se papunësia në ShBA është e ulët, ekonomia është mirë, jo mirë në Evropë dhe për këtë kemi bërë zhvendosje të tregjeve financiare prej Evropës në ShBA”, tha Zalli.
Zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli, tha se të gjithë operatorët në tregun e pensioneve kanë pasur performancë negative.
“BQK në baza të rregullta vjetore zhvillon ekzaminime të përgjithshme të operatorëve të pensioneve dhe konstatimi im është që gjithë operatorët në tregun e pensioneve kanë pasur performancë negative. Synimi ynë është që bashkë me komisionin dhe Trust të avancojmë strategjitë investive në krijimin e portofolave të ndryshëm, të ruhen grupmoshat e pensionimit“, tha ai.
“BQK vazhdimisht është treguar praktike në zhvillimin e industrisë financiare, tani jemi duke zhvilluar kornizën ligjore për krijimin e fondeve të investimeve jo vetëm të mjeteve në Trust, por cilitdo qytetarë që ka kapacitete investive”, shtoi Havolli.
Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se sipas tij është investim i gabuar që të ketë vetëm mbulim të inflacionit, raporton EO.
“Rënie-ngritjet janë dukuri që mund të menaxhohen mirë apo keq për shkak të problemeve në treg, por performanca për 5 vite dhe ne kemi mbulim të inflacionit ky është investim total i gabuar. Trusti dhe BQK-ja me i bërë investimet tona që në totalin e tyre me pas një vlerë më të madhe sepse problemi thelbësor që ka Trusti është që ne po investojmë para vetëm sa me mbulu inflacionin dhe kjo është rënie apo humbje e madhe”, tha ai.
Komisioni për Buxhet dhe Financa mbeti të shqyrtoj edhe një herë raportin plotësues me amendamente të Komisionit funksional për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rregullimin e shërbimeve të ujit.
Po ashtu u formua Grup Punues për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike, të përfaqësuar nga Dardan Molliqaj, Mërgim Lushtaku, Naser Osmani, Arbërie Nagavci dhe Fikrim Damka.