Pasiguria me furnizim me energji elektrike vlerësohet të jetë një nga problemet që po përcjell Kosovën që nga paslufta.
Ndonëse, gjatë viteve të fundit kishte pasur përmirësim të furnizimit me energji elektrike, megjithatë asnjëherë përgjatë 17 viteve të pasluftës, Kosova nuk ka arritur të shkarkohet nga ky problem.
Gjatë kësaj jave është paralajmëruar nga Korporata Energjetike e Kosovës se brenda dy javësh, Kosova mund të përballet me një krizë energjetike, për shkak të shpenzimit të rezervave të qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike.
Mungesën e energjisë elektrike e ka paralajmëruar edhe zëvendësministri në largim i Financave, Agim Krasniqi. Ai në një postim në Facebook ka shprehur shqetësimin e tij për këtë çështje.
“Shpejt mjerisht Kosova jonë do të mund të mbetet në terr, prapë do te ankohemi pse do të rriten çmimet e rrymës, pse prapë do të varemi nga importet nga Serbia”, ka shkruar Krasniqi.
Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Energjetikës, Izet Mustafa, thotë për Radion Evropa e Lirë, se problemet që Kosova rrezikon t’i ketë me energji elektrike, do të duhet të adresohen urgjentisht nga autoritetet kompetente, në të kundërtën shton ai, problemet do të jenë të mëdha.
Pakënaqësitë nga furnizimi jostabil me energji elektrike, Mustafa t thotë se do të rriten. Sipas tij, edhe çmimi i energjisë do të jetë më i lartë.
“Presim që institucionet e Kosovës të angazhohen seriozisht dhe të kontribuojnë në përmirësim të kësaj situate, përndryshe do të krijohen probleme edhe me rreth 5 mijë punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës, të cilët rrezikojnë të mbesin pa punë. Po ashtu, do të reagojë edhe popullata se nëse ndodh kjo. Kostoja e energjisë që do të paguajnë konsumatorët do të jetë më e lartë, pasi që energjia do të duhet të importohet”, thotë Mustafa.
Derisa, qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë i quajnë të papranueshme problemet që mund t’i ketë Kosova me energji elektrike.
Anita, një qytetare nga Prishtina thotë se rikthimi i reduktimeve të energjisë elektrike është i paarsyeshëm.
“Do të jetë një problem shumë i madh nëse do të ballafaqohemi me furnizim jostabil me energji elektrike. Është e pakuptimtë qe sa vite pas lufte, nuk është arritur të ndërtohen kapacitete të reja të energjisë elektrike”, thotë ajo.
Ngjashëm, shprehet edhe Donjeta. “Nëse në të ardhmen do të ballafaqohemi sërish me problemet e rrymës, atëherë e shoh si dështim të institucioneve shtetërore. Normal që do të jetë problem për çdo qytetarë të Kosovës mungesa e furnizimit me energji elektrike”, shprehet Donjeta.
Ndërkaq, Arben Gjuka, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pas dy javësh do të bëjë një plan emergjent për tu përballur me këtë situatë, që ai e vlerëson si alarmante.
“Fatkeqësisht, ne në dy javët e ardhshme, do të dalim me një plan emergjent, që nënkupton se duhet t’i ndalim disa njësi gjeneruese ose ta kemi një gjenerim të kufizuar, për shkak të mundësive apo rezervave të kufizuara që i kemi për marrjen e qymyrit në atë pjesë”, ka thënë Gjuka.