Situata e krijuar në Ukrainë nga veprimet ruse, ka alarmuar të gjitha vendet e fuqishme perëndimore.
Por, në rast se kriza në Ukrainë përshkallëzohet, Rusia nëpërmjet Serbisë do të tentojë që të rrisë agresionin dhe të destabilizojë Kosovën. Lidhur me këtë çështje, në një përgjigje me shkrim për lajmi.net ka folur eksperti amerikan dhe njohësi i Ballkanit, Daniel Serwer.
Ai ka thënë se Serbia e mbështetur nga Rusia do të bëjnë të pamundurën që ta mbajnë veriun e Kosovës nën kontrollin e tyre.
“Pres që Rusia dhe Serbia të bëjnë gjithçka që munden për ta mbajtur veriun e Kosovës nën kontrollin serb dhe për të penguar serbët të bashkëpunojnë me Prishtinën. Por nuk ka asgjë të re në këtë. Ata gjithashtu mund të tentojnë disa operacione me flamur të rremë në Kosovë, siç kanë bërë në Ukrainën lindore”, është shprehur Serwer.
Sipas tij, konflikti në Ukrainë dhe ai i viteve të 90’ta në Kosovë kanë “pak” të përbashkëta dhe se “pretendimet e presidentit të Rusisë Vladimir Putin se rus-folësit në Ukrainë u janë nënshtruar llojeve të spastrimit etnik, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të përhapura në Kosovë në vitet 1990 janë të rreme.”
Ndërsa sytë janë drejtuar nga sulmi i mundshëm i Rusisë mbi Ukrainën, presidenti rus, Putin, ka dërguar në Serbi, këshilltarin e tij të lartë për çështje të sigurisë, Nikolai Patrushev.
Ky i fundit, ka thënë se Kosova po dërgon trupa mercenarë në Ukrainë.
“Ka informacione se militantë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina po rekrutohen për të rrëzuar Rusinë jashtë ekuilibrit, që përfshin dërgimin e tyre në Donbas”, ka thënë ai.
Megjithatë, kjo akuzë e tij, është cilësuar si e rremë nga shefi i kabinetit të presidencës, Blerim Vela.
Si e tillë konsiderohet edhe nga Profesori në Universitetin amerikan John Hopkins, Daniel Serwer.
Kur pyetet se a mendon që Kosova është objektivi i fushatës ruse në Ballkan, duke pasur parasysh dezinformatat e fundit, Serwer thotë se “Moska gënjen për mercenarët”.
“Kosova është një nga shumë objektiva të tillë. Rusët po shajnë çdo vend që lidhet me Perëndimin”, shtoi ai.
Ndërkohë, Serwer ka thënë se ajo çfarë Qeveria e Kosovës duhet të bëjë që t’i demaskojë këto gënjeshtra është thirrja nga autoritetet drejt qytetarëve që të mos shkojnë të luftojnë në Ukrainë në rast të përshkallëzimit të situatës.
“Qeveria e Kosovës gjithçka që mund të bëjë është t’i mohojë ato dhe të sigurojë që asnjë kosovar të mos shkojë të luftojë në Ukrainë”, shtoi ai.
Ndërkaq, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, shpalli një varg sanksionesh kundër Rusisë, një ditë pasi presidenti i këtij vendi, Vladimir Putin, mori vendim për t’i njohur rajonet separatiste të Ukrainës, Donbas dhe Luhansk, si shtete të pavarura dhe urdhëroi dërgimin e trupave atje.
”SHBA-ja beson se Rusia është agresor i qartë në tensionet me Ukrainën”, tha Biden në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë.
Sipas tij, vendimi i Putinit paraqet shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Në anën tjetër, edhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në mënyrë unanime kanë miratuar vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve rusë lidhur me veprimet e tyre në Ukrainë.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka deklaruar se pakoja e sanksioneve e miratuar të martën “do ta dëmtojë Rusinë dhe do ta dëmtojë shumë”.
Sipas tij, sanksionet do të afektojnë politikat financiare të Rusisë të lidhura me Ukrainën, duke kufizuar qasjen në tregjet financiare të BE-së.
“Kjo punë nuk ka përfunduar”, tha Borrell duke iu referuar veprimeve ruse në Ukrainë.