Kina, Rusia dhe Irani po e mbështesin, Nicolas Maduron si udhëheqës të Venezuelës si dhe po i bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara të mos përfshihet në trazirat që po ndodhin në atë vend.
Deklaratat u bënë pasi Uashingtoni njohu liderin e opozitës, Juan Guaido, si president të përkohshëm.
Të mërkurën, Guaido e shpalli veten president gjatë protestave masive antiqeveritare.
SHBA tha se “ish-presidenti Maduro” nuk ka më autoritet dhe i bëri thirrje ushtrisë që të mbështesë Guaidon.
Kina i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të mos përfshihen në krizën në Venezuelë duke thënë se Pekini kundërshton ndonjë lloj intervenimi të huaj në atë vend.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hua Çunjing tha se të gjitha palët në konflikt duhet të mbesin “racional dhe të qetë” si dhe të kërkojnë zgjidhje politike.
Kina i ka dhuruar Venezuelës 65 miliardë dollarë në 10 vitet e fundit, nëpërmjet huadhënies, depozitave dhe investimeve.
Irani njoftoi se mbështetë presidentin, Nicolas Maduro dhe akuzoi opozitën për goditje shtetërore dhe përpjekje për marrjen e pushtetit në mënyrë të paligjshme.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Bahram Ghasemi e dënoi siç tha “ intervenimin e hapur dhe të kundërligjshëm të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë”.
Në të njëjtën kohë, Rusia ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara që të mos ndërhyjnë ushtarakisht në Venezuelë, duke pretenduar se një veprim i tillë do të shkaktonte një skenar katastrofik, njoftoi agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Sergei Ryabokov.
SHBA tha se “ish-presidenti Maduro” nuk ka më autoritet dhe i bëri thirrje ushtrisë që të mbështesë Guaidon.
Deri më tash, ushtria i ka mbetur besnike Maduros.
Ekonomia në Venezuelë është dobësuar nën presidentin Maduro.
Inflacioni i lartë, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe mungesa e gjërave bazë kanë bërë që miliona njerëz të ikin nga ky vend.
Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në një tubim të mërkurën, në kryeqytetin Karakas, në mbështetje të Guaidos, i cili është udhëheqës i Asamblesë Kombëtare.
Ai u tha turmave se protestat do të vazhdojnë “derisa Venezuela të çlirohet”.