“Nuk kam asnjë informacion zyrtar apo konfirmim se Kroacia do të ofronte garanci për lirimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Unë s’kam thënë kurrë se autoritetet kroate po punonin për këtë, por se s’kishte asnjë informacion zyrtar për këtë. Mediat serbe qëllimisht apo pa qëllim më kanë keqinterpretuar”, ka thënë për “Jutarnji”, deputetja shqiptare e Kuvendit të Kroacisë, Ermina Lekaj Përlaskaj.
Reagimi i saj vjen pasi mediat në Serbi u alarmuan pas një deklarate të Përlaskajt se kinse Kroacia ka ofruar garanci për lirimin e Thaçit. Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysen Berisha, shkoi një hap më tej duke shtuar se pas Sllovenisë e Austrisë, edhe Kroacia ofron garanci për të gjykuarit e Hagës, duke theksuar se presidenti kroat Zoran Milanoviq ka ofruar që të jetë garantues te Gjykata Speciale për lirimin e presidentit Thaçi dhe të tjerëve që të mbrohen në liri.
“Nuk e di nga e ka marrë Berisha këtë informacion. Hashim Thaçi s’është shtetas i Kroacisë dhe si juriste, s’jam e familjarizuar me modelin ligjor në bazë të të cilit Kroacia do të mund të ishte garantuese për një person që s’është shtetas i saj”, ka thënë tutje Përlaskaj.
Edhe Zyra e Presidentit s’ka informata për një gjë të tillë, dhe nuk mund të gjendet asnjë informatë zyrtare se Sllovenia e Austria kanë dhënë garanci për lirim e Thaçit, raporton mediumi i njohur kroat.
Informatat për kinse iniciativën kroate vjen dy ditë para se ministri i Jashtëm kroat, Gordan Gërliq-Radman, të vizitojë Prishtinën. Ministria e Punëve të Jashtme të Kroacisë ka thënë se s’ka asnjë informatë për këtë çështje që ka qenë temë së fundmi. Bisedimet me kryeministrin kosovar, presidenten, ministren e Jashtme dhe kryeparlamentarin do të jenë për përkrahjen e Kosovës në rrugën evropiane, pozicionin e minoritetit kroat në Kosovë, pjesëmarrjen e Kroacisë në KFOR, stabilitetin në rajon dhe dialogun me Serbinë.
Gjykata Speciale e Kosovës në tetorin e shkuar ngriti aktakuzë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi për krime lufte. Ata janë në Hagë që nga nëntori.
Së fundmi kjo gjykatë refuzoi kërkesën e tyre për lirim të përkohshëm, ndërsa u tha se Specialja ua ka ofruar një mundësi që ndonjë shtet i tretë të ofrojë garanci për lirimin e tyre.