M.O u vra mizorisht, duke u keqtrajtuar dy ditë rresht. I dyshuar për vrasje është personi që ishte partneri i saj. Fëmija më i madh i familjes O., nga Ferizaj, M., u varros në moshën 18-vjeçare dhe nga aty u bë thirrje që mos të vriten vajzat dhe gratë. Prindi i vajzës së ndjerë, pak pas varrimit u shpreh “dhashtë Zoti që kjo të jetë e fundit, jo ndaj vajzës sime por në përgjithësi, mos të na ndodhin më këto raste tragjike”. Pas çdo vrasje të një gruaje, urohet që ajo të jetë viktima e fundit nga burrat. Kjo nuk ndodh.
M.O nuk arriti ta gëzojë moshën madhore. 18-vjeçarja dyshohet se u vra nga partneri i saj 11 vjet më i vjetër, Dardan Krivaqa, pasi i përjetoi dy ditë keqtrajtim mizor. Premtimi i nënës së partnerit të saj, se çifti nuk do të ketë probleme, edhe përkundër faktit se familjes nuk ia lëvduan dhëndrin për bijën e tyre, u thye pas dy muajsh martesë.
Vëllai i të dyshuarit për vrasjen u distancua nga veprimet e Dardan Krivaqës, që ka dosje të pasur në polici dhe kërkoi dënim meritor për të.
Brenda banesës ku jetonin, 18-vjeçarja qëndroi e mbyllur dhe, sipas prokurorisë, u dhunua fizikisht nga dy meshkuj. Të dyshuarit për vrasje, nuk qëndruan as në spital për të marrë një përgjigje nga mantelbardhët nëse ishte ende e gjallë, por zgjodhën të ikin. Pas dy ditësh në arrati, partneri i të ndjerës u prangos në një fshat të Ferizajt.
Lajmi i parë për tragjedinë e vajzës u dha ditën e diel (22 gusht 2021). Policia informoi se 18-vjeçarja M.O., u soll pa shenja jete nga dy persona të panjohur në Emergjencën e Ferizajt. Menjëherë hetimet u intensifikuan dhe rezultuan me të arrestuarin e parë Arbër Sejdiu, 32-vjeç., me vendbanim të përkoshëm në Zvicër, gjithashtu dyshohet se në ditën kritike kishte shfrytëzuar për ikje veturën e tipit “Audi”, me tabela të shtetit të Zvicrës.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha se Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu janë emra të njohur për policinë dhe prokurorinë. Madje ky i fundit ka aktakuzë aktive nga viti 2013 për vrasje në tentativë.
Ndërsa, partneri i 18-vjeçares së ndjerë, është recidivist i veprave të ndryshme penale, konfirmoi prokuroria e Ferizajt.
“Personi në fjalë (D.K) është recidivist i veprave të ndryshme penale si “Vjedhje e rëndë”, “Lëndim i lehtë trupor” “Kanosje”, “Lëndim i rëndë trupor” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, tha prokuroria.
Përderisa prokuroria zbuloi rolin e Arbër Sejdiut në vrasjen e 18-vjeçares dhe të njëjtit iu caktua një muaj paraburgim për veprën penale “vrasje e rëndë”, Dardan Krivaqa vazhdonte të ndodhej në arrati.
“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit D.K., me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta-gjelozie, për shkak se i pandehuri D dyshonte se e ndjera M.O. e kishte tradhtuar me djalin e dajës së të pandehurit D., për këtë arsye i pandehuri D, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, e pastaj edhe dhunën fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë, ndërsa i pandehuri A.S., gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm, në vendin e ngjarjes, e i cili edhe ka marr pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike, me këtë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës, dhe më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur”, njoftoi Gjykata Themelore e Ferizajt, kur aprovoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit.
Ndërkohë, Policia e Kosovës kishte publikuar fotografinë e Dardan Krivaqës me të dhënat e tij personale, për të kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve në arrestimin e tij. Qytetarët kishin telefonuar policinë, pasi në një lagje të Ferizajt, u pa një person teksa po tentonte të ikte, dyshohej për Dardan Krivaqën.
Teksa kërkimet për të po vazhdonin, para stacionit të Policisë në Ferizaj, po protesohej për vrasjen e 18-vjeçares.
Aty u kërkua të ndalohej dhuna dhe vrasja e grave dhe u protestua për neglizhencën e institucioneve karshi rasteve të dhunës dhe vrasjeve ndaj grave.
“Dënim maksimal për Dardan Krivaqën”, “Drejtësi për gratë e vrara”, “Mos e normalizoni vrasjen e grave”, “Denim maksimal për Arbër Sejdiun”, ishin disa nga pankartat që gjatë protestes mbanin gratë në duar.
Gjatë protestës, disa nga pjesëmarrësit u hodhën ngjyrë të kuqe policëve që po përkujdeseshin për sigurinë në hyrjen e oborrit të stacionit policor.
Gjatë kohës sa protesohej, në media u dha lajmi për arrestimin e Dardan Krivaqës në një fshat të Ferizajt. Pas rreth dy ditësh në arrati, 29-vjeçari u vu në pranga dhe u dërgua për në stacionin policor.
Pak minuta më vonë, në varrezat e qytetit të Ferizajt nisi ceremonia e varrimit të 18-vjeçares M.O,.
Në prani të shumë qytetarëve, vajza u varros dhe nga atje u bë thirrje që të ndalet fenomeni i vrasjes së vajzave dhe grave.
Pjesëmarrës në varrim ishte edhe i pari i ekzekutivit Albin Kurti. Para të pranishmëve, kryeministri mori fjalën.
Kurti pasi vendosi lule te varri i të ndjerës ka ngushëlluar familjarët e të pranishmit tjerë.
“Sot të gjithë ne kemi shumë pikëllim, sot të gjithë ne kemi shumë zemërim. Jeta e një vajze të re 18-vjeçare është këputur nga një vrasje mizore. Para 1 orë e gjysmë i dyshuari për vrasjën që e tronditi Kosovën është arrestuar dhe tash duhet të ketë gjykim të drejtë e dënim të merituar”,u shpreh Kurti ndër të tjera.
Në ceremoninë e varrimit të 18-vjeçares së vrarë në Ferizaj, M.O., në emër të familjes fjalën e ka marrë një i afërm i viktimës.
Ai ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen dhe është lutur që ky të jetë rasti i fundit i vrasjes së grave në Kosovë.
Gjithashtu ai ka thënë se të rinjtë duhet ta gëzojnë lirinë dhe drejtësinë.
“Besoj se organet e Kosovës do ta çojnë drejtësinë deri në fund, uroj që të jetë rasti i fundit dhe fjala përfundimtare të jetë stop sepse të rinjtë kanë nevojë me gëzu lirinë, drejtësinë”, u shpreh ai.
Në banesën ku ndodhi krimi, policia kishte sekuestruar gjësende, por armë zjarri nuk kishte gjetur.
Kështu njoftoi kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari.
“Rasti ka ndodh në banesë në dhomë, persona të dyshimt e kanë dërgu në spital, prokurori nuk ka qenë aty”, tha dje kryeprokrori Jashari.
Ai tha se janë sekuestruar gjësende dhe telefona në banesën e të dyshuarit.
“Ka të sekuestruara gjëra dhe telefona në banesë, armë nuk ka të sekuestruara”, tha ai.
Kjo është ndërtesa banesore ku dyshohet se ndodhi krimi.
Daja i viktimës tha ndër të tjera se 18-vjeçarja kishte nisur një punë, por e kishin larguar nga puna me të marrë vesh se është partnerja e Dardanit.
“Janë martu, banesën e kanë pas qaty, ja kish pas nis vajza me punu diku një javë apo dhjetë ditë më një vend, por për çka u largu prej punës nuk muj me ditë. Fjalë të popullit, e kanë hetu që është femra e filanit dhe e ka largu, se s’ka desht me pas probleme me të”.
Pak më parë, vëllai i Dardan Krivaqës, Kastrioti, u distancua nga veprimet e vëllait dhe kërkoi dënim meritor ndaj tij.
“Unë si vëlla i madh jam përkujdesur për familje qysh në moshë shumë të re nga se herët kam mbetë pa baba, por jam mundu që “vëllaun” ta këshilloj dhe ndihmoj”, por ai asnjëherë nuk e ka dëgjuar askënd”, u shpreh ai.
Vazhdon thirrja për drejtësi ndaj grave dhe vajzave të vrara dhe parandalimin e dhunës në familje.