Ujësjellësi rajonal “Prishtina” ka treguar se për shkak të reshjeve atmosferike mbi vendin tonë, liqenet akumuluese Batllava dhe Badoci kanë shënuar ngritje të konsiderueshme, sa që është arritur edhe kuota maksimale e deri në kapërderdhje.
Për këtë arsye, zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arieta Mjeku ka njoftuar se ata janë duke prodhuar ujë me kapacitete maksimale dhe se shpërndarja e ujit nga ana e tyre po bëhet në mënyrë të barabartë.
Mirëpo, sipas tyre, keqpërdorimi i ujit nga persona të pandërgjegjshëm po bën që në disa lagje të ketë edhe mungesë të ujit.
Për të evituar këtë problem, ata kanë dhënë disa këshilla se si mund të kursehet uji, transmeton Indeksonline.
Më poshtë gjeni njoftimin e tyre:
Pas reshjeve atmosferike mbi vendin tonë, liqenet akumuluese Batllava dhe Badoci kanë shënuar ngritje të konsiderueshme, sa që shumë shpejtë arritën edhe kuotën maksimale e deri në kapërderdhje.
Ndërtimi i fabrikës së përpunimit të ujit në “Shkabaj” me kapacitet prodhues 700 l / s dhe ngritja maksimale e ujit në liqenet akumuluese, e ndihmuan KRU”Prishtina” sh.a., që t’i furnizojë me ujë të pijshëm konsumatorët e kryeqytetit dhe shtatë komunat e tjera, duke i eliminuar tërësisht reduktimet e ujit gjatë ditës.
Jemi duke hyrë në sezonin e verës dhe menjëherë kanë filluar të rriten kërkesat për ujë të pijshëm në zonën e shërbimit.
Keqpërdorimi i ujit të pijshëm ka filluar.
Lagjet e kryeqytetit që kanë filluar të ndjejnë mungesën e ujit të pijshëm janë: Lagjja ” Nic ”, Lagjja “ Qëndresa ”, Lagjja” Sofalia ”, pika të larta të fshatit Hajvali ( zonat që furnizohen me ujë nga sistemi i Badocit).
Kapacitetet momentale prodhuese janë maksimale, shpërndarja e ujit nga ana jonë po bëhet në mënyrë të barabartë, por keqpërdorimi i ujit nga persona të pandërgjegjshëm veq ka filluar, saqë këtë e dëshmon më së miri mungesa e tij në lagjet e lartëcekura.
Apelojmë te Inspekcioni i Kuvendit Komunal të Prishtinës, përfshirë edhe inspekcionet e komunave të tjera në zonën e shërbimit, që të veprojnë si viteve paraprake, nxjerrjen e një urdhërese administrative për parandalimin e keqpërdorimit të ujit të pijshëm, në të cilën urdhëresë do të përcaktoheshin edhe gjobat për personat fizik dhe juridik që zihen në flagrancë zuke e keqpërdorë ujin.
Ujë për pije, higjienë dhe nevoja të tjera elementare ka mjaftueshëm, por assesi për destinime tjera të paarsyeshme.
Shpenzimi racional i ujit të pijshëm në këtë periudhë është mëse i domosdoshëm.
Uji sot nuk duhet të shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar, me ç’rast mund t’i zvogëlojmë rezervat e ujit të pijshëm, por ai duhet kursyer pikë për pikë!
Roli i ujit është thelbësor për qeniet e gjalla dhe planetin, ai na nevojitet për pije, shtëpi dhe kopshte, por me rëndësi është ta kuptojmë domethënien e përdorimit jo të drejtpërdrejt të ujit si për prodhim, furnizim dhe zhvillim.
Hapat që ne ndërmarrim sot për kursim të ujit, janë të një rëndësie jetike për ne dhe fëmijët tanë.
Cfarë mund të bëjë secili prej nesh, për të ndaluar keqpërdorimin e ujit?
Mos lejoni të rrjedhë ujë kot nga rubineti juaj,
Mos përdorni ujin e pijshëm për të larë veturat,
Mos përdorni ujin e pijshëm për ndërtime të shumta në qytet,
Mos pastroni trotuaret me ujin e pijshëm,
Mos harroni t’i mbyllni çezmat tuaja, pasi lani dhëmbët,
Mos vadisni lulet, kopshtet dhe arat,
Paguani rregullisht ujin që konsumoni,
Mos lejoni ndërhyrjet pa leje në rrjetin e ujësjellësit,
Të gjithë jemi përdorues të ujit, prandaj ne jemi edhe përgjegjës për t’a shfrytëzuar atë në mënyrë të drejtë.
Ujin mund t’a zëvendësojë vetëm uji, andaj kurseje atë.
Nëse i përmbaheni këtyre këshillave , sidomos në këtë periudhë, Kompania Rajonale e Ujësjellësit ” Prishtina” sh.a. do t’a furnizojë me ujë të pijshëm secilin konsumatorë në mënyrë të barabartë dhe pa reduktime.