Zëdhënësja e “KRU Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka deklaruar se janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të furnizuar qytetarët me ujë të pijshëm, duke shtuar se situata do të përmirësohet shumë shpejt.
Ajo ka theksuar se gjendja aktualisht nuk është në nivel alarmant.
“Ne si KRU” Prishtina” jemi duke bërë përpjekje maksimale për ti furnizuar qytetarët me ujë te pijshëm përmes autoboteve ne zonat e prekura. E kemi edhe obligim ligjor. Shpresojmë qe situata te përmirësohet shume shpejt. Gjendja nuk është alarmante”, ka thënë ajo për Dukagjinin.
Në këto zona të prekura, “KRU Prishtina” të hënën ka siguruar furnizimin e qytetarëve me ujë të pijshëm përmes autoboteve: Në rrugën “C”, në Hajvali, në Graçanicë te banesat sociale dhe në rrugën “Muharrem Fejza”.
Ndryshe, KRU Prishtina është angazhuar në riparimin e defekteve në rrjetin e ujësjellësit në zonat e mëposhtme:
Rruga “24 Maji”
Rruga “Hajdar Dushi”
Rruga “Rrustem Statovci”
Rruga “Ymer Paqarizi”
Rruga “Zekirija Cana”
Rruga “Rexhep Luci”
KRU Prishtina para tre ditëve me departamentin e cilësisë së ujit ka vënë re ngritje të prezencës se Manganit ne burimin e ujit (Liqeni Badovc).
Andaj, bazuar në gjendjen momentale, me rekomandim te IKSHPK, KRU” Prishtina” ka njoftuar qytetarët që furnizohen nga ITU Badovc, se uji nuk rekomandohet për pije dhe për gatim, deri në njoftimin e radhës.
Për informacion KRU Prishtina ne komunikim me IKSHPK, ka bere furnizimin e QKUK-së përmes alternatives tjeter (Furnizimi Shkabaj – Batllave), duke ofruar fillimisht siguri ne furnizim për nevojat e QKUK-së, sepse uji nga sistemi i Liqenit Batllava (Shajkovc) dhe uji nga Sistemi i Ibrit (Shkabaj) është i sigurt për pije.