Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, ka thënë se sanksionet e reja kundër Rusisë nuk janë të nevojshme, sepse ato “shkaktojnë më shumë dëm ndaj Evropës se ndaj Rusisë” në një intervistë të premten me agjencinë shtetërore ruse të lajmeve, TASS.
“Nëse i shikojmë sanksionet nga një këndvështrim pragmatik, shohim se ato i shkaktojnë më shumë dëm Evropës se Rusisë”- tha ai, sipas agjencisë TASS, duke shtuar se “pakot e reja të sanksioneve nuk janë të nevojshme”, përcjell televizioni CNN.
Szijjarto tha se furnizimi i shteteve të Evropës Qendrore me drithë nga Ukraina do ta shkatërrojë sektorin e bujqësisë të këtyre vendeve.
“Nëse drithi ukrainas fillon të shpërndahet në vendet e Evropës Qendrore, kjo përfundimisht do t’i shkatërrojë tregjet bujqësore të Evropës Qendrore. Pa i përmendur bujqit tanë, të cilët ne sigurisht se duhet t’i mbrojmë”- shtoi ministri hungarez, siç është cituar nga agjencia TASS.
Lufta në Ukrainë / Pas drithit, Hungaria i ndalon edhe mjaltin e shumë produkte të tjera nga Ukraina
Edhe Polonia e Sllovakia kanë vendosur kufizime ndaj eksporteve të drithit ukrainas, duke i përmendur të njëjtat arsye, pasi Bashkimi Evropian kishte vendosur që të mos e zgjaste afatin e ndalimit të importeve nga Ukraina në këto shtete si dhe në Rumani e Bullgari.
Sipas kryediplomatit hungarez, vendi i tij është i gatshëm që të ofrojë kalim transit falas për drithin ukrainas. Ai theksoi se fillimisht, marrëveshja mbi linjat e solidaritetit e përfshin lejen vetëm për transitin e prodhimeve bujqësore ukrainase.