Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmitro Kuleba, ka deklaruar se një numër i madh i ushtarëve rusë do të vdisnin nëse Rusia vendos të pushtojë Ukrainën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kuleba po qëndron për vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe, ndërsa për Sky News në Londër tha se Ukraina po bashkëpunon me aleatët, si SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, në mënyrë që të pengojë Rusinë nga përpjekjet për të sulmuar me qëllimin për të pushtuar Ukrainën.
“Ushtria ukrainase është e gatshme të mbrojë atdheun e saj. Aleatët tanë mund të përgjigjen me sulme ekonomike, ndërsa ne do të luftojmë në terren. Më vjen keq ta them këtë, por një numër i madh ushtarësh rusë do të vriten dhe shpresoj që edhe presidenti rus Putin nuk e dëshiron këtë”, tha Kuleba.
Duke theksuar se Ukraina po ndjek një qasje tredimensionale për të penguar Rusinë duke dërguar mesazhe politike, inkurajuar sanksionet dhe forcuar bashkëpunimin ushtarak me aleatët, Kuleba tha se Ukraina shpreson në mbështetjen e NATO-s, por nuk pret që trupat e NATO-s të luftojnë nëse përpjekjet për të penguar Rusinë dështojnë.
“Ajo që ne duam për momentin është të shmangim luftën ose nëse nuk kemi zgjidhje tjetër, të na ndihmojë të forcojmë ushtrinë tonë nëse Rusia e dëshiron atë luftë”, u shpreh Kuleba.