Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Punëve të Jashtme e Kroacisë, Marija Pejçinoviq-Buriq, tha se Kosova e Serbia duhet që në fund të dialogut dypalësh të arrijnë marrëveshje juridikisht të pranueshme për të dyja palët.
Kjo, sipas kryediplomates kroate, iu mundëson të dyja shteteve integrimin në Bashkimin Evropian dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, raporton Ekonomia Online.
Pejçinoviq-Buriq i bëri komentet në një konferencë shtypi së bashku me kryediplomatin kosovar, Behgjet Pacolli.
“Është qëndrimi i BE-së që dialogu është rrugë për integrim, zgjidhja mund të bëhet përmes dialogut. Duhet të arrihet një marrëveshje që juridikisht është e zbatueshme”, tha ajo.
“Edhe sa i përket anëtarësimit në NATO ekzistojnë kriteret e njëjta ekziston dialogu me Serbinë, prandaj mendojmë që është shumë e rëndësishme që të punohet në këtë çështje”.
Ajo tha se shteti i saj do të ofrojë mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe UNECSO.
Ndonëse pranon se janë bërë hapa pozitivë, thotë se shtetit e Kosovës e presin ende shumë sfida.
“Mendojmë që Kosova ka bërë shumë hapa, por ka ende sfida. Kroacia dëshiron t’i ndihmojnë Kosovës sidomos kur është fjala për rrugën euroatlantike”.
Përveç mbështetjes ajo pati edhe kërkesa për komunitetit që kroat në Kosovë. Ngase sipas saj, shqiptarëve në Kroaci u është dhënë vend meritor.
“Ne sot kur kemi ardhur këtu jemi takuar me komunitetin pakicë në Janjevë. Në Kroaci kemi 22 pakica kombëtare dhe kemi programe të veçanta për ta. Pakica shqiptare është në Kuvendin tonë dhe në mënyrë konstruktive japin kontributin e tyre ne dëshirojmë që të avancohet pakica kroate edhe këtu”.
Zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka vlerësuar kontributin e Kroacisë për mbështetjen e Kosovës në rrugën drejt BE-së, si dhe për lëvizjen e lirë të mallrave.
“Sot kam marrë dëshmi që Kroacia edhe më tutje do të qëndrojë pas nesh. Ne e shohim të arsyeshme që në Kosovë të vijnë edhe më shumë njerëz të biznesit”.
“Ministrja më ka premtuar se do të ndërmjetësojë në marrëdhëniet e Kosovë për me të siguruar lëvizje të lirë të mallrave”, theksoi Pacolli.