Kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen e Qeverisë, ka ngritur çështjen e ndërtimeve pa leje në zonat e caktuara për hapjen e minierës së re për eksploatimin e thëngjillit.
Ai iu bëri apel banorëve që të mos bëhen ndërtime të tjera, pasi sipas tij nuk do të paguhen por do të rrëzohen, raporton Ekonomia Online.
“Unë i kam veç e veç shtëpitë që po ndërtohen në zonat që parashihet për minierën e re. Ju e dini në shpronësimin e mëhershëm në çfarë peripecish kaluam edhe sa vështirë ishte dhe sa shpenzimet iu bënë vendit. Në tri drejtime, përfshirë edhe në brendi të fshatit Hade kanë filluar ndërtime të shpejta me qëllim, që kur të ndodhë shpronësimi me përfitu”.
“Kërkoj që të ndërtohet një task-forcë prej dy-tri ministrive, të rrëzohen këto shtëpi që tani dhe të çohet një porosi që të mos ndërtohen tjera se nuk do të paguhen. Përkundrazi, është mirë me ligj me çu faturë për shpenzimet me ia rrëzu”.
“Duhet ta kuptojnë banorët që ka kufi gjithçka. Nuk është rrit çmimi i energjisë, kjo tendencë me ndërtu shtëpi në mënyrë pirate…Nëse nuk veprojmë, vonohemi dhe po qojmë sinjale të gabume te banorët. Ju bëjë apel që të mos ndërtojnë sepse nuk do të paguhen ato”, ka thënë Haradinaj.