Kryeministri Çek, Andej Babish ka hedhur poshtë deklaratën e kryeministres serbe, Ana Bërnabiq se edhe kryeministri çek ka shprehur gatishmëri për ta tërhequr njohjen.
Bërnabiq, para gazetarëve ka thënë se ka diskutuar me homologun e saj çek, duke shtuar se ai është shprehur i gatshëm të diskutojë mundësinë e tërheqjes së njohjes ndaj Kosovës.
Siç u shpreh Bërnabiq në Pragë, ku ajo po merr pjesë në Samitin e V4-tës, deklaratat e presidentit çek kanë shkaktuar reagime të mëdha në opinion, shkruan lajmi.net.
Por, në anën tjetër, Babish ka thënë se këto deklarata janë jo-reale. Ai ka shtuar se nuk sheh arsye që Çekia të ndryshoj qëndrim sa i përket çështjes së pavarësisë së Kosovës.
“Politika e jashtme e Çekisë, është gjithmonë në duar të qeverisë. Nuk shoh asnjë arsye, që Çekia të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës”, ka thënë Babish në një konferencë për media.
“Deklarata të bëra nga presidenti, opinioni i Zemanit është gjithmonë i njëjti. Nuk është asgjë e re”, ka thënë Babish në konferencë për media, pas pyetjes së gazetares serbe, se si i komenton deklarimet e presidentit Zeman për heqjen e njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Babish përveç tjerash ka folur edhe për mospjesëmarrjen e Ramush Haradinajt në këtë takim. Ai ka thënë se ka pranuar letrën e kërkim faljes nga Haradinaj, dhe se kryeministrin e ka përfaqësuar ambasadori i Kosovës në Pragë, Arbër Vllahiu.